
Nën hijen e zhurmën e zhvillimeve të rrëmujshme në skenën politike, SPAK vijon të hetojë dhjetra kallëzime të bëra para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit të vitit të kaluar.
Njëra dosje që vijon të mbetet e hapur është ajo e Pukës. Në 10 prill të vitit të kaluar, dy javë para zgjedhjeve policia njoftoi arrestimin e drejtuesit lokal të LSI-së, të cilit iu gjetën si prova 27 emra qytetarësh, fleta të ngjashme me fletën e votimit dhe rreth 500 mijë lek. Ai u prangos nën dyshimet e shitblerjes së votave.
Burime për Voxnews.al konfirmojnë se për këtë rast hetimet në gjendje të lirë për disa persona vijojnë ende.
Kandidat i LSI-së në zgjedhjet e 25 prillit për Qarkun e Shkodrës ishte Agron Çela, që ishte gjithashtu edhe njëri nga katër emrat që siguroi mandatin nën siglën e kësaj force politike. Çela, në votimin e së enjtes në Kuvend nuk ndoqi linjën e tre deputetëve të tjerë, duke votuar pro zgjatjes së vettingut.
Një tjetër dosje që lidhet me 25 prillin në SPAK është ajo e Vorës, ku nën hetim është kryetari i komanduar i kësaj bashkie, Gentian Picari. Veç shitblerjes së votave, ky i fundit po hetohet edhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.