Çfarë ka mbetur nga programi i pasurimit të uraniumit të Iranit?

8 October 2026, 18:54Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Çfarë ka mbetur nga programi i pasurimit të uraniumit të

Irani nuk po pasuron aktualisht uranium, sipas të dhënave të disponueshme, pasi sulmet amerikane dhe izraelite dëmtuan rëndë tre impiantet e njohura të pasurimit në vend.

Megjithatë, sasia e uraniumit të pasuruar që ka mbijetuar dhe vendndodhja e tij mbeten të paqarta.

Çështja e programit të pasurimit të uraniumit është në qendër të kërkesave të SHBA-ve ndaj Teheranit.

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi të martën se Irani duhet të bëjë një reduktim “domethënës” të kapacitetit të tij për pasurimin e uraniumit, si pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë fund konfliktit mes dy vendeve.

Para sulmeve amerikano-izraelite, Irani pasuronte uranium deri në 60% pastërti, një nivel shumë pranë rreth 90%-shit që konsiderohet i përshtatshëm për përdorim në armë bërthamore.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) vlerësonte se, në momentin kur nisën sulmet, Irani kishte rreth 440.9 kilogramë uranium të pasuruar deri në 60%. Sipas standardit të përdorur nga IAEA, kjo sasi, nëse pasurohet më tej, do të ishte e mjaftueshme për rreth 10 armë bërthamore.

Sulmet izraelite nisën më 13 qershor, ndërsa më pas iu bashkua edhe SHBA-ja. Gjatë fushatës 12-ditore, tre impiantet e njohura të pasurimit u shkatërruan ose u dëmtuan rëndë.

IAEA ka deklaruar se impianti mbi tokë në kompleksin e Natanzit është shkatërruar, ndërsa dy impiantet e tjera, në Natanz dhe Fordow, janë dëmtuar rëndë dhe besohet se aktualisht nuk janë funksionale.

Një tjetër pikë shqetësimi është një impiant i ri pasurimi në Isfahan. Irani e kishte njoftuar IAEA-n për hapjen e tij një ditë para sulmit izraelit. Impianti ndodhet në një kompleks tunelesh, i cili duket se është dëmtuar më pak nga bombardimet amerikane.

Megjithatë, IAEA thotë se nuk ka informacion të plotë mbi gjendjen e këtij impianti apo nëse aty ndodhet material bërthamor.

Drejtori i përgjithshëm i IAEA-s, Rafael Grossi, ka deklaruar se agjencia beson se më shumë se 200 kilogramë uranium i pasuruar deri në 60% mund të kenë mbetur në kompleksin e tuneleve në Isfahan, ndërsa një pjesë tjetër mund të jetë ende në Natanz.

Irani nuk i ka informuar inspektorët e IAEA-s se sa nga uraniumi i pasuruar ka mbijetuar pas sulmeve dhe ku ndodhet ai. Gjithashtu, inspektorët ndërkombëtarë nuk janë lejuar të rikthehen në impiantet e goditura.

Pavarësisht dëmtimit të kapaciteteve, ekspertët vlerësojnë se nëse një pjesë e konsiderueshme e stokut të uraniumit të pasuruar deri në 60% ka mbijetuar, Irani teorikisht mund ta pasurojë atë deri në nivel armësh me një numër relativisht të kufizuar centrifugash.

Numri dhe vendndodhja aktuale e centrifugave iraniane mbeten gjithashtu të paqarta. IAEA kishte kompetenca më të gjera inspektimi sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, por pas tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja në vitin 2018, mekanizmat e mbikëqyrjes u dobësuan dhe agjencia humbi gjurmët e një pjese të pajisjeve.

Në këto kushte, çdo reduktim i kërkuar nga SHBA për kapacitetin e pasurimit do të duhej të matej në raport me kapacitetin që Irani kishte para sulmeve, qoftë përmes nivelit të pastrimit të uraniumit, sasisë së prodhuar apo numrit të impianteve të pasurimit.


Video