Banka e Shqipërisë është dorëzuar përballë zhvlerësimit të euros, të paktën në përgjigjen jozyrtare që ka mbërritur nga ky institucion për shqetësimet e ngritura nga shoqatat e biznesit eksportues.
Këto shoqata thonë se kanë humbur 8 deri në 10 për qind të vlerës së produkteve që eksportojnë dhe nëse euro qëndron në këto norma, apo vijon zhvlerësimi i mëtejshëm i tij paralajmërojnë me shkurtime të punonjësve.
Përllogariten rreth 200 mijë të punësuar nga bizneset prodhuese dhe eksportuese në Shqipëri. Shtatë shoqata të tyre iu drejtuan këtë javë me një letër Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave duke kërkuar së pari një analizë të mirëfilltë të shkaqeve të zhvlerësimit dhe më pas gjetjen e mjeteve dhe mekanizmave për të ndërhyrë.
Por, Banka e Shqipërisë nuk ndan të njëjtin shqetësim me bizneset dhe e konsideron zhvlerësimin e euros me 9 për qind brenda një viti si normale, të paktën në përgjigjen jozyrtare që i ka kthyer bizneseve.
Bizneset kanë kërkuar nga Banka e Shqipërisë që të ndërhyjë në treg për të pakësuar sasinë e eurove përmes blerjes së monedhës së përbashkët europiane. Për këtë vit, Banka e Shqipërisë parashikon që të blejë deri në 220 milionë euro. Në tre muajt e parë të këtij viti shuma e blerë është gati 50 milionë euro./VoxNews