Sigurimi i pronës rritet me 5 përqind. Sa arrijnë të ardhurat e kompanive nga kjo policë sigurimi?

28 Tetor 2024, 10:50Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Nga janari deri në shtator të këtij viti, shqiptarët kanë zgjedhur të sigurojnë më tepër pronën e tyre. Të dhënat më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se vlera e primeve të shkruara bruto dhe numri i kontratave të lidhura midis kompanive të sigurimit dhe qytetarëve, ka pësuar një rritje të ndjeshme në këtë nëntëmujor.

Konkretisht, sigurimi nga zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë nga kategoria e jo-jetës numëron gati 2.1 miliardë lekë prime të shkruara bruto, rreth 4.7% më shumë se në periudhën janar-shtator 2023, ku të ardhurat që grumbulluan kompanitë nga kjo policë sigurimi ishin vetëm 2 miliardë.

Në portofolat e Pronës, Përgjegjësve, Garancive të cilat gjatë periudhës janar-shtator 2024 siguruan mbi 3.1 miliardë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 68.88%, të pasuar nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 22.22% të totalit.

Sigurimi i pasurive të paluajtshme mund të përfshijë sigurimin nga zjarri i shkaktuar prej ndonjë aksidenti nga njerëzit, nga rrufeja, përmbytjet, tërmetet, apo edhe vjedhja e shtëpisë ose biznesit. Nga statisitikat zyrtare rezulton se vëllimi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e jo-jetës arriti në 16.8 miliardë lekë duke shënuar një rritje në masën 7.24%, ndërkohë që numri i kontratave në sigurimin e jo-jetës kapi shifrën 1 milionë.

Video