Si ndryshoi harta e importeve me krizën? Koreja e Jugut futet në “top 10”

28 Mars 2024, 12:44Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Të dhënat nga Instituti i Statistikave në lidhje me shkëmbimet tregtare gjatë muajit shkurt të vitit 2024, sa i përket importeve, tregojnë se dy vendet e para që kryesojnë listën kanë mbetur të pandryshuara. Italia vijon të mbajë vendin e parë me 20.6% të totalit të importeve në vendin tonë. Krahasuar me shkurtin e vitit 2023 pesha e importeve fiksohej në 24.1% duke reflektuar kështu një rënie të konsiderueshme. Në vend të dytë si vendi me peshën më të madhe të mallrave të importuara në Shqipëri konfirmohet Turqia me 16.9% të totalit, nga rreth 11.1% që peshonte ky shtet në importet e vendit në të njëjtën  periudhë të vitit 2023. Ndërkohë, Kina ka humbur një pozicion duke u renditur në vendin e tretë me 7.8% të totalit të peshës së importeve nga 11.6% që zinte një vit më parë.

Nga ana tjetër, vazhdojnë të ruajnë të njëjtat pozicione shtetet si Gjermania, Greqia, India dhe Serbia të cilat renditen përkatësisht në vendin e 5-të, 6-të dhe 7-të. Konkretisht, pesha që zënë këto shtete në importet totale në vendin tonë është 7.7%, 7.5%, 3% dhe 2.2%

‘Scan Intel’ ka analizuar të dhënat për të kuptuar sesi kanë ndryshuar importet me vendet partnere këtë herë jo vetëm në terma vjetorë, por edhe gjatë 4 vjeçarit të fundit për të kuptuar efektet e krizës. Nëse e krahasojmë situatën e shkëmbimeve tregtare me periudhën e para krizës, që përkon me vitin 2021, vëmë re se Italia dhe Turqia janë renditur si dy vendet që zënë peshën më të madhe dhe pas tyre renditet Gjermania, Kina dhe Greqia që janë këmbyer me njëra tjetrën ndër vite herë duke humbur pozicione e herë duke fituar. Pas pesë vendeve kryesore, shifrat tregojnë për një rënie të konsiderueshme të importeve nga Polonia, e cila në vitin 2023 gëzonte vendin e tetë dhe këtë vit ky shtet mbyll klasifikimin e 10 vendeve kryesore, duke u vendosur e fundit në renditje. Ndërkohë, vendet si Korea e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara përfaqësojnë vetëm 2% dhe 2.1% të importeve totale. Krahasuar me vitin 2021, pra periudhën para krizës së çmimeve, shohim se në muajin shkurt të vitit aktual kemi Korenë e Jugut si një ndër dhjetë partnerët kryesorë tregtarë.

Në përfundim të analizës konkludojmë se përgjithësisht pesha e importeve të partnerëve kryesorë është tkurrur nga viti në vit duke lejuar hyrjen e partnerëve të rinj.

Video