
Banka Qendrore e Kosovës, në bashkërendim me Policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, Doganat e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, Njësinë e Inteligjencës Financiare, Inspektoratin e Tregut dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë janë takuar urgjentisht për intensifikimin e veprimeve institucionale për luftimin e parave të falsifikuara që po qarkullojnë.
Alarmi është ngritur veçanërisht për monedhën 2 euro.
Si kurrë më parë të gjithë institucionet financiare e të sigurisë janë bashkuar për t’i shpallur “luftë” monedhës dy euro fals që ka pushtuar tregun.
Në fakt, Banka Qendrore, Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Forenzikë, Doganat e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës, Njësia e Inteligjencës Financiare, Inspektorati e Tregut janë mbledhur urgjentisht për intensifikimin e veprimeve institucionale për luftimin e parave të falsifikuara.
“Mbi bazën e këtyre diskutimeve, palët u dakorduan për një plan të veprimit, i cili parasheh ndërmarrjen e veprimeve parandaluese dhe rregullative nga institucionet sipas fushave të përgjegjësisë lidhur me përdorimin e monedhave dhe rritjen e mbrojtjes financiare. Në zbatim të këtij plani, parashihet edhe rishikimi i tarifës së depozitimit të monedhave në banka nga BQK, avancimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe sektorin financiar, si dhe promovimi i përdorimit të mënyrave elektronike të pagesave, si pjesë e fushatave të edukimit financiar”, thuhet në njoftimin e lëshuar.
Me theks të veçantë janë udhëzuar qytetarët të shmangin përdorimin e parave të gatshme (veçanërisht monedhën 2 euro) dhe të shfrytëzojnë sa më shumë kartelat bankare gjatë pagesave.
“Veprime konkrete kërkohen edhe nga bankat dhe institucionet tjera financiare, që të ngritin kapacitetet e brendshme të adresimit të kësaj dukurie dhe komunikimit sa më efikas me autoritetet përkatëse”.
Po ashtu është rekomanduar që bizneset të furnizohen vetëm nga bankat me para të gatshme të cilat furnizohen nga ana e BQK-së, kurse mjetet e pranuara t`i nënshtrohen verifikimit para se të njëjtat të rivihen në qarkullim.
Ish-zëvendësdrejtori i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Milazim Tahirukaj, ka thënë se Kosova është si treg i hapur për t’i vendosur në qarkullim kartëmonedhat e falsifikuara, kjo pasi nuk e ka monedhën e vet.
“Varësisht nga mënyra e falsifikimit të monedhave apo kartëmonedhave të identifikohet edhe burimi dhe origjina e tyre, deri tek ardhja e laboratorit klandestin, që të identifikohet a është në Kosovë, Maqedoni, apo në Bullgari. Kemi raste në rritje që vijnë nga shtetet e rajonit në Kosovë, duke marr parasysh se Kosova përdor monedhën dhe kartëmonedhën euro, ndërsa në shtetet e rajonit i kanë kartëmonedhat e veta, prandaj Kosova është si treg i hapur për t’i vendosur në qarkullim kartëmonedhat e falsifikuara”.
Edhe pse Kosova është e mbuluar me para false, Tahirukaj sheh se kjo gjendje mund të bëhet edhe më e madhe.
“Ka me ardhur një kohë ku kanë me e mbuluar tregun monedhat 2 euro dhe 1 euro të falsifikuara, e si pasoj e kësaj veç kanë filluar me ndalu shumë dyqane për në qarkullim monedhën prej 2 euro”.
Askush nuk i do dy euro
Monedha me vlerë dy euro ka shumë kohë, gjatë tërë muajve të 2023-tës që në Kosovë është bërë problem i madh.
Problemi është krijuar nga falsifikimi enorm i kësaj monedhe dhe plasimin e këtyre parave në tregun financiar të vendit, por edhe nga dyshimet e krijuara nga shumëkush- individë dhe subjekte juridike për falsifikimin e shumtë numerik të kësaj monedhe.
Muajve të fundit në Kosovë është refuzuar në shumë raste së pranuari monedha dy euro.
Madje publikisht kundër kësaj monedhe kanë dalë edhe disa kompani publike.
Kompania Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, që në muajin shkurt të këtij viti i kishte bërë deklarimin se “kompania kishte vendosur muaj më parë që të mos e pranojë në asnjë mënyrë monedhën 2 euroshe për pagesë nga klientë për shërbimet që kryen kjo kompani”.
Njësoj, pothuajse kishte vepruar edhe Kompania “Prishtina Parking”, sikundër pak a shumë njëjtë nisën të veprojnë edhe shumë konsumatorë duke refuzuar të marrin kusurin në monedhën dy euro nëpër furra, minimarkete, vetëshërbime e kështu me radhë, duke kërkuar që vlerën prej dy eurosh t’ua japin të ndarë nga një 1 euro.
Rasti i veprimit të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” dhe të ndërmarrjes “Prishtina- Parking”, nga njohës të rrethanave monetare, ishte vlerësuar fare eklatant dhe i pashembulltë në praktikat e deritashme të transaksioneve të pagesave jo vetëm në vendin tonë.
Sa para false ka në treg dhe nga po rrjedhin ato?
Qindra mijëra euro false dyshohet se qarkullojnë në tregun e Kosovës.
Praninë e parave false e konfirmojnë edhe aksionet e policisë së Kosovës për konfiskimin e tyre dhe arrestimin e falsifikuesve.
Në laboratorin e mjekësisë ligjore të Policisë së Prishtinës, stafi ka ekzaminuar më shumë se 30,000 monedha të falsifikuara 2-euroshe në gjysmën e parë të këtij viti, krahasuar me 4,451 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas Policisë së Kosovës, vitin e kaluar kanë dërguar 804 raste te prokurorët në lidhje me falsifikimin e parave dhe 486 deri më tani këtë vit.
Në prill ata arrestuan një burrë dhe një grua duke u përpjekur të sillnin 10,600 monedha false 2 euroshe në Kosovë nga Maqedonia e Veriut.
Shumë video në gjuhën shqipe në rrjetet sociale ofrojnë oferta për monedha false ose kartëmonedha të tjera euro të cilat shiten për 10%-20% të vlerës së tyre nominale. Në aplikacionin TikTok ka një numër profilesh që reklamojnë paratë false. Poshtë këtyre njoftimeve ka qindra komente të personave me emër e mbiemër, që kërkojnë të blejnë vlera të ndryshme të parave false.
Megjithatë, në bazë të komenteve në profilet në TikTok duket se shumë qytetarë mashtrohen.
“Rrena janë këto. Vetëm sa me t’i marrë paratë dhe pastaj ta bëjnë bllok në të gjitha anët. Mbushuni mend, popull shqiptar”.
Institucionet financiare evropiane ndajnë disa këshilla se si mund të identifikohen paratë false. Një prej metodave është prekja e monedhës, pasi monedhat false zakonisht janë më të vrazhda. Po ashtu mund të identifikohen devijime, shkronja dhe simbole në mospërputhje me origjinalin.
Rekomandohet që nëse keni dyshime në paratë që i pranoni, me mirësi të kërkoni një monedhë tjetër. Sugjerohet që personit në fjalë t’i shpjegohet me mirësi se mund të ketë në posedim një monedhë false, që bie ndesh me ligjin.