“Rama e ka bërë Shqipërinë një vend të sigurt për të investuar”, Jared Kushner tregon detajet e projektit në Sazan: Do ndërtojmë diçka spektakolare

17 Maj 2025, 17:58Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Jared Kushner

Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, nën cilësinë e CEO-s dhe themeluesit të “Affinity Partners”, ishte i pranishëm online në Samitin Ekonomik Ndërkombëtar që po mbahet në Tiranë.

Kushner, nëpërmjet një lidhjeje të drejtpërdrejtë, e cilësoi kryeministrin Edi Rama, një politikan të zotin.

Ai thekson se kjo qeveri ka ndryshuar klimën e jetesës dhe e ka bërë Shqipërinë një vend të sigurt për të investuar.

“Edi është një politikan shumë i aftë, lider i zgjuar. Na tregoi se çfarë mund të bëjë një artist me një vend. Ata do të ndërtojnë një aeroport në Vlorë, dhe kjo është një mundësi shumë e madhe për t’u shfrytëzuar në rajon. Erdha nga dëshira për të ndërtuar diçka unike për botën”, tha Kushner.

Kushner tregoi në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar 'Future Investment Initiative Europe' se si vendosi të ndërtojë një restort turistik me vlerë 1.4 miliardë dollarë në ishullin e Sazanit.

Kushner tha se ajo çfarë  e bën të veçantë zonën ku do ndërtohet resorti është pikërisht natyra. Dhe për këtë arsye, Kushner thotë se kanë angazhuar inxhinierët më të mirë në Europë për programet e duhura për ruajtjen e mjedisit. Kushner thotë se bukuria natyrore është e jashtëzakonshme dhe se vendndodhja është mrekullueshme sepse është në zemër të Mesdheut. Kushner thekson se projekti ka përqafuar ambientin lokal dhe se do të realizojnë diçka spektakolare.

Kushner: Përpara se të shkonim në Korçë, u ndalëm në Berat, që ishte një pamje spektakolare dhe më dha ndjesinë e potencialit të madh që ka ky vend. Ka kaq shumë bukuri të jashtëzakonshme – uji, notuam shumë, bëmë shumë ecje. Vendi ka një bukuri natyrore të pabesueshme, por dukej sikur askush nuk e njihte apo e kuptonte. Nuk mendova shumë për të për një vit. Pastaj, rreth një vit më vonë, nisëm të shikonim mundësi në Ballkan, dhe partneri që udhëhiqte këtë iniciativë më tha: "Le të shkojmë në Shqipëri". Kisha një përvojë shumë të mirë atje. Shkuam të shihnim nëse kishte ndonjë mundësi. U tërhoqëm menjëherë nga vendi ku po ndërtohej aeroporti në Vlorë. Dhe është e qartë që një vend që ndërton një aeroport buzë detit, e bën këtë në vendin që mendon se është më i bukuri. Pra shkuam atje, kërkuam për mundësi, dhe gjetëm disa mundësi të jashtëzakonshme. E gjithë kjo nisi nga një pasion, dhe nga dëshira për të ndërtuar diçka që mendojmë se mund të jetë vërtet unike në botë.

PYETJE: Ju jeni një ekspert në kuptimin e qeverive dhe trendeve në vende të ndryshme. Si u ndjetë rehat në këtë treg? Dhe deri më sot, si është përvoja juaj në terren? Sepse kemi folur shumë për ju, por ju jeni personi që po e realizon këtë.

Kushner: Si shumë gjëra që përfundojnë mirë, ka momente kur mendon: "A ia vlen vërtet kjo? Pse po e bëj këtë?" Por isha shumë i intriguar. Kaluan rreth një vit duke kuptuar tregun, demografinë, trendet – vendi po rritet me dyfishin e ritmit të Europës. Por pastaj duhej të pyesnim: A është ky një vend që, ndonëse ka një reputacion të përzier historikisht, do të jetë një vend i pastër? A do të bëjë qeveria atë që premton? A do të marrësh lejet pa “lojëra të pista”? A do t’i mbajnë premtimet? Kaluan një vit duke njohur vendin, duke kuptuar tregun para se të angazhoheshim. Partneri im, Asher, që ka udhëhequr këtë projekt, është njeri me këmbë në tokë. Por sa më shumë punonim në dizajnin e projektit, aq më shumë dashuroheshim me atë që po krijonim, dhe ndjemë që ambienti ishte perfekt. Por pa punën e shkëlqyer të ekipit në terren, të partnerëve tanë në Shqipëri, dhe të qeverisë që krijoi një ambient shumë pro-rritjeje, nuk do të kishim hyrë në projekt. Dhe një nga pohimet më të mira ishte kur... Kur u bë publike që po e zhvillonim këtë projekt, “New York Times” tha: “Ka një sërë ligjesh që janë ndryshuar që ndihmojnë projektin tuaj. A ndodhën për ju këto?” Dhe unë thashë: “Nuk dija asgjë për këto ligje.” Por partneri im më tha se këto ishin arsyet pse vendosëm të ecnim përpara. “New York Times” e pranoi që këto ishin ligje pro-zhvillimit. Këto janë ligje që vendosen për të inkurajuar zhvillimin dhe ndryshimin. Dëgjoja panelin e fundit ku flisnin për çfarë duhet bërë që zonat të zhvillohen, dhe qeveria shqiptare po bën pikërisht këto gjëra – tërheqje investimesh, fitime, mirëqenie që sjell vëmendje, që sjell luftë kundër terrorizmit, rritje të vendeve të punës, rritje pagash. Pra, po ndodhin të gjitha gjërat e duhura, dhe ndihem shumë krenar që e ndaj këtë. Marr shumë komente pozitive nga shqiptarët sa herë që vij në vend. Shumë prej tyre më falënderojnë që i kam sjellë kaq shumë promovim vendit të tyre, të cilin unë e konsideroj një thesar të vërtetë.

Pyetje: Na trego më shumë për këtë projekt, që ndodhet ndoshta në një nga zonat më të bukura të vendit, por edhe të Mesdheut. Mund të na tregoni më shumë për projektin dhe si planifikoni të ruani mjedisin natyror përmes procesit të zhvillimit?

Kushner: Ajo që e bën këtë zonë kaq të veçantë është pikërisht natyra që ka. Prandaj kemi angazhuar një nga inxhinierët më të mirë në Europë për të na ndihmuar me programet e duhura të ruajtjes së mjedisit. Nëse nuk e respektojmë ambientin, zhvillimi që do të bëjmë atje nuk do të jetë i veçantë. Duhet të sigurohemi që e ruajmë realisht mjedisin. Ka madje një histori që thotë se po pengonim një deltë lumi, por ajo ishte shumë milje larg dhe nuk kishte lidhje me projektin tonë. Mendoj se kemi arritur të bindim njerëzit për këtë. Kur të publikojmë planet, do të shihet si kemi përqafuar ambientin lokal dhe jemi përpjekur të bëjmë diçka që ruan gjithçka. Por gjithçka ka të bëjë me vendndodhjen – 60 milje nga Italia, 60 milje nga Korfuz – dhe siç thashë, do të hapet një aeroport i ri shumë afër. Vetëm 10 minuta larg projektit. Bukuria natyrore është e jashtëzakonshme, vendndodhja është e mrekullueshme dhe jemi pikërisht në zemër të Mesdheut. Por, për shkak të historisë së keqe të vendit deri në vitet ’90, Shqipëria mbeti e pazhvilluar. Dhe nuk të jepet shpesh mundësia të ndërtosh diçka të re në Mesdhe, ku gjithçka është zhvilluar dhe mbirregulluar, ku asgjë nuk mund të ndërtohet më. Kështu që të gjitha këto po bashkohen, dhe mendoj se kjo ka shumë kuptim. Kemi investuar shumë kohë, përpjekje dhe kapital për ta çuar përpara këtë projekt dhe mendoj se do të arrijmë të bëjmë diçka spektakolare.

PYETJE: Kush do të jenë blerësit? Kush do të jenë vizitorët? Si shpresoni t’i tërhiqni?

Kushner: E vetmja që e di me siguri është vetja ime, gruaja dhe familja ime. Pra, po e dizajnojmë këtë vend në mënyrë që të jetë një vend ku ne do të donim të kalonim verën. Dhe sa herë ua tregoj miqve tanë, ata më thonë: “Duam edhe ne një vend aty pranë.” Po tërheqim disa nga markat më të njohura në botë që duan të bëhen pjesë e kësaj. Dhe mendoj se do të jetë e jashtëzakonshme. Pra, po e dizajnojmë si vendi ku ne vetë do të donim të kalonim verën, dhe nëse e realizojmë mirë, besoj se edhe shumë familje të tjera do të duan të kenë një shtëpi aty ose ta vizitojnë shpesh.

Video