Qeveria ngre grup pune për të zgjidhur problemet që ka krijuar vetë

31 January 2022, 16:45Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Qeveria ngre grup pune për të zgjidhur problemet që ka krijuar

Qeveria njoftoi ngritjen e një grupi pune që do të shqyrtojë dhjetra kërkesat e biznesit dhe shoqatave të sipërmarrjes, që sipas tyre synojnë përmirësimin e klimës së investimeve.

“Ne e shohim si shumë të rëndësishëm komunikimin me biznesin. Unë personalisht si ministre jam shumë e angazhuar për tryeza me biznesin, të detajuara e specifike, ku të ulemi sa më shpesh me pjesëmarrjen e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në mënyrë që të arrijmë bashkërisht të zbatojmë ato reforma që qeveria ka ndërmarrë dhe ka për vizion të ndërmarrë në të ardhmen”, deklaroi ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, duke folur në emër të Qeverisë ku bën pjesë.

Janë gjithsej 194 rekomandime të bizneseve, të cilat janë kategorizuar në 27 tema të identifikuara dhe që përfshijnë 10 ministri, Bankën e Shqipërisë dhe disa institucione varësie. Një pjesë e rekomandimeve bien ndesh me njëra-tjetrën, të tjera dëmtojnë rëndë të ardhurat në buxhetin e shtetit.

Për këtë arsye jo të gjitha kërkesat e bizneseve janë të zbatueshme. Por, për një pjesë të mirë dhe me peshën më të madhe në klimën e biznesit “fajtorja” është vetë Qeveria. Si? Disa prej temave të rekomandimeve janë: legjislacioni tatimor, fiskalizimi, kuadri rregullator bankar, tregtia elektronike, ligji i falimentit, tatimi mbi të ardhurat personale, tatimi mbi fitimin, lufta kundër informalitetit, mbrojtja e markave tregtare, investimet e huaja direkte e të tjera.

Nëse këto tema merren më vetë një nga një mbi këto problematika bie e rëndë pesha e përgjegjësisë së Qeverisë. Si shembullin më të freskët sjellim fiskalizimin. Biznesi u tregua skeptik që prej fillimit dhe i kërkoi Qeverisë që të shtyjë afatet. Qeveria këmbënguli në qëndrimin e saj. Publikisht s’e ka pranuar asnjëherë se strategjia e zgjedhur ishte e nxituar dhe e gabuar, por e ka pranuar përmes vendimeve të shtyrjes së afateve të këtij procesi, që nga shtatori vjet, shkuan në dhjetor e tani janë shtyrë për në qershor.

Për legjislacionin tatimor përgjegjësia e Qeverisë dihet cila është. Ligjet vërtet miratohen në Kuvend, por që të gjendet një rast kur Kuvendi nuk ka votuar një projektligj të Qeverisë duhet të kthehemi pas në kohë, në vitet kur qeveriste Fatos Nano.

E njëjta përgjegjësi bie edhe mbi rregullat për tregtinë elektronike, një treg kaotik sot për sot, për tatimin mbi të ardhurat, tatim-fitimin e të tjera me radhë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

 


Video