Qeveria heq dorë nga koncesionari i pullave fiskale, për 12 vite të ardhurat e kompansë arrijnë 110 MILION euro!

23 Dhjetor 2024, 13:24Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Edi Rama

Më 31 dhjetor 2024 përfundon afati shtesë për kontratën koncesionare të pullave fiskale te mallrat e akcizës me kompaninë “SICPA Security Solutions Albania”.

Në janar 2023, nga Parlamenti u miratua shtyrja edhe me 2 vite e zbatimit, parashikuar të përfundonte në shkurt 2023, si dhe u rishikua tarifa që paguhet nga biznesi, me ulje 10% nga tarifa e mëparshme.

Për 12 vite, përkatësisht për periudhën 2012 deri 2023, të ardhurat e shoqërisë koncesionare “SICPA Security Solutions Albania”, që realizohen nga prodhimi dhe shpërndarja e pullave fiskale për bizneset që tregtojnë mallra të akcizës, sipas bilanceve të dorëzuara në QKB arrijnë në vlerën e 10,8 mld lekëve apo rreth 110,5 mln euro.

Në nisje të aktivitetit të saj, të ardhurat e kompanisë “SICPA Security Solutions Albania”, sipas bilanceve të QKB-së për vitin 2012 ishin 7 mln euro dhe 8 mln euro për vitin 2013.

Përgjatë këtyre 12 viteve, të ardhurat më të larta të arkëtuara nga prodhimi dhe shpërndarja e pullave fiskale rezultojnë në vitin 2022. Kompania në këtë periudhë regjistron 10,2 mln euro të ardhura.

Për vitin 2023 të ardhurat e kompanisë arrijnë 8,2 mln euro apo 19,6% më pak se viti paraardhës.

Rënia e volumit të të ardhurave lidhet me uljen e çmimit të shitjes sipas termave të kontratës koncesionare të rinovuar, që solli reduktim 10% të tarifës në vitin 2023.

Për periudhën 2012-2015 kompania ka raportuar humbje prej rreth 3 mln euro, ndërsa në vijim ka rritur fitimet, duke kulmuar në 2019 me 2,1 mln euro. Për periudhën 2016-2019 kompania ka deklaruar fitime në totalin e 5,9 mln eurove.

Fitimi i kompanisë për 2023 ishte 362 mijë euro nga 2 mln euro që ishin në vitin 2022. Nga viti 2016 deri në 2023 fitimet e kompanisë rezultojnë 12,2 mln euro.

Debatet për afatin e koncesionit dhe tarifën e lartë

Për zbatimin e kontratës koncesionare gjatë këtyre viteve janë ndezur disa debate.

Së pari mbetej e paqarta data e fillimit të zbatimit dhe përfundimit të kontratës.

Kontrata koncesionare për vendosjen e pullave fiskale te mallrat e akcizës u nënshkrua nga qeveria e mëparshme në vitin 2012 me afat 10 vjeçar.

Tarifa e pullës fiskale nga bizneset nisi të paguhej që në vitin 2012, por datë efektive e fillimit të kontratës u përcaktua 6 shkurti 2023.

Grupi i punës së ngritur me ekspertë të Ministrisë së Financave dhe Avokaturës së Shtetit, pas konsultoi një sërë dokumentesh dhe procesverbale të mbledhjeve të mëparshme arriti në konkluzionin për përcaktimin e datës efektive të kontratës, datën 6 shkurt 2013 dhe datën 6 shkurt 2023 si datë të përfundimit të kontratës.

Nga konkluzionet u përcaktua po ashtu se data 6 gusht 2022, si datë e fillimit të periudhës të daljes dhe inventarizimit të aseteve.

Por data efektive e nisjes së kontratës u kundërshtua nga kompania koncesionare, që sipas pretendimeve të saj, data efektive e kontratës përkonte nga nisja e zbatimit të komponentit të paplotësuar, që ishte vendosja e pullave fiskale te barnat.

“Me fuqizimin e këtij elementi afati i zbatimit të kontratës shtyhej edhe për 10 vite të tjera”, pohuan më herët përfaqësuesit e kompanisë.

Zbatimi i tarifës së lartë së pullave fiskale gati 8 herë më shumë se çmimi mesatar i pullave fiskale në Europë po haste kundërshtime të ashpra nga bizneset e prodhimit dhe tregtimit të mallrave të akcizës, që ngarkoheshin me një detyrim vjetor deri në 1 mln euro, ndërsa vendosja e pullave nuk arrinte të zgjidhte problemet me tregtinë e paligjshme dhe informalitetin.

Në vend tarifa e mëparshme e pullave fiskale arrinte 22,4 USD për 1,000 copë, ndërsa në Europë çmimi mesatar i pullave fiskale është 3 USD për 1,000 copë, në Kosovë 2,2 USD.

Pas gjithë këtyre debateve, 1 muaj para përfundimit të afatit zyrtar, me qëllim shmangien e përballjes së palëve në Gjykatën e Arbitrazhit qeveria i propozoi Kuvendit për miratimin projektligjin për shtyrjen e afatit edhe për 2 vite të tjera dhe ulje e tarifës 10%.

Me anë të këtij projektligji, synohet të amendohet dhe t? përmbyllet kontrata e koncesionit, e miratuar me ligjin nr.10381, datë 24.2.2011.

Amendimi i kësaj kontrate shtesë do të mundësojë: vijueshmërinë e këtij shërbimi në fushën e kontrollit fiskal në Republikën e Shqipërisë edhe pas datës 6.2.2023, datë kur kjo kontratë përfundon;

Përfundimi i kontratës

Në ligj parashikohet se afati i kontratës koncesionare p?rfundon n? dat?n 31.12.2024.

Gjatë kësaj periudhe, shoqëria koncesionare angazhohet të kryejë një investim që shkon nga 3 deri në 5 milionë euro, sipas skedulimeve që do të detajohen me afate respektive kohore në Bordin e Menaxhimit të Kontratës. Projektligji do të adresojë zgjidhjen e problematikave të kontratës së koncesionit, për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave, miratuar me ligjin nr.10381, datë 24.2.2011, dhe, përveç efekteve pozitive të sipërcituara, nuk mbart asnjë efekt negativ apo risk fiskal për shtetin shqiptar.”.

Prej janarit 2025, pullat fiskale pritet të prodhohen nga shtypshkronja e letrave me vlerë që është Shoqëri Aksionere me aksioner Ministrinë e Financave./Monitor

Video