
Biopsi Trucut e gjirit është një procedurë mjekësore, me qëllim diagnostikues, që realizohet duke marrë një mostër indi nga një zonë ose lezion i dyshimtë brenda gjirit, nëpërmjet një age speciale nën drejtimin ekografik. Kjo procedurë sugjerohet kur një mamografi, ekografi ose ekzaminim klinik zbulon një anomali që kërkon vlerësim të mëtejshëm. Përmes saj përcaktohet nëse anomalia e gjirit është beninje (jo kanceroze) apo malinje (kanceroze).
Biopsia Trucut e gjirit është një procedurë relativisht e shpejtë dhe minimalisht invazive. Konsiderohet si një metodë shumë e saktë për diagnostikimin e anomalive të gjirit dhe është më pak invazive sesa opsionet e biopsisë kirurgjikale. Qëllimi kryesor i kryerjes së Trucut është dhënia e informacionit të nevojshëm mbi tumorin (llojin e tumorit, gradën, invazionin e tij, etj.).
Marrja e materialit bioptik nga gjiri realizohet nëpërmjet disa hapave:
- Pacienti qëndron shtrirë, me njërin krah poshtë kokës dhe me anë të ekografisë lokalizohet zona e dyshuar ku do të procedohet me marrjen e materialit.
- Lëkura sterilizohet me betadinë.
- Mjeku injekton anestezi lokalenë lëkurën e gjirit dhe në indin poshtë lëkurës se gjirit.
- Mjeku avancon më pas me një age speciale e cila do të futet në gji deri në zonën ku evidentohet anomalia e dyshuar. Fillimisht pacienti ndjen një diskomfort, por pastaj zakonisht procedura vazhdon e qetë pa ndjesi anormale.
- Merren disa mostra në zonën e dyshuar dhe vendosen në solucion të përshtatshëm.
Procedura shoqërohet me risqe zakonisht minimale, për të cilat pacienti është i vetëdijshëm pasi informohet në mënyrë të detajuar në lidhje me to dhe jep aprovimin e tij përpara kryerjes së procedurës. Risqet më të zakonshme janë hemoragjia dhe dhimbja e përkohshme.
Analizimi laboratorik i mostrës së biopsisë kryhet pas mbërritjes në laboratorin tonë bashkëpunëtor në Greqi kumostra i nënshtrohet ekzaminimeve mikroskopike nga mjeku anatomopatolog i specializuar për identifikimin e abnormaliteteve malinje apo beninje.