Fondi rezervë i buxhetit, për çfarë është përdorur në gjysmën e parë të vitit?

27 Gusht 2024, 14:00Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Fondi rezervë në buxhetin e shtetit për vitin 2024 ishte programuar në vlerën e 2.5 miliardë lekëve apo 25 milionë eurove.

Referuar ligjit “Për buxhetin e vitit 2024, i ndryshuar”, fondi rezervë prej 2.5 miliardë lekësh përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave, për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme.

Por, si është përdorur ky fond deri më tani? Referuar raportit të mesvitit për zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2024, Fondi Rezervë për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme është përdorur nëpërmjet 3 Vendimeve të Këshillit të Ministrave me vlerë totale prej rreth 1. 545 milionë lekë nga 2.5 miliardë lekë të planifikuara ose në rreth 61.8% të planit.

Nga këto e 60.2% e planit, janë akorduar për shpenzime kapitale dhe 1.6% e planit, janë përdorur për shpenzime korrente (shpenzime operative dhe transferta të brendshme).

Konkretisht, 1.5 miliardë lekë janë përdorur për si shtesë fondi për Ministrinë e Mbrojtjes, miratuar për vitin 2024, për modernizimin e forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë.  22.3 milionë lekë kanë shkuar për miratimin e kalendarit të integruar të veprimtarive në kuadër të vitit ndërkombëtar të  80 vjetorit të Çlirimit. Dhe 17.8 milionë lekë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut datë 7.11.2023 për çështjen Durdaj dhe të tjerë kundër Shqipërisë.

Sipas dokumentit, gjendja e papërdorur e fondit rezervë të buxhetit të shtetit, në datën 30 Qershor 2024, rezulton 954.9 milionë lekë.

Video