Cilët shtetas zgjodhën Shqipërinë për pushime? Kosova mbetet “lider” në fluksin e vizitorëve

27 Gusht 2024, 13:18Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Në dekadën e fundit, Shqipëria ka përjetuar një transformim të jashtëzakonshëm në sektorin e turizmit, duke u shndërruar në një destinacion të preferuar për vizitorët nga e gjithë bota. Të dhënat më të fundit nga INSTAT konfirmojnë një rritje të ndjeshme në numrin e turistëve që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në këtë kontekst, “Scan Intel” ka bërë një analizë të detajuar për të identifikuar cilat shtete kontribuojnë më shumë në fluksin turistik në Shqipëri.

Sipas statistikave për muajin korrik të këtij viti, Kosova është në krye të listës, me një përqindje dominuese prej 39.1% të numrit total të turistëve. Italia ndjek me 8.2%, Maqedonia e Veriut me 6.8% dhe Mali i Zi me 6%. Nga ana tjetër, vizitorët nga Turqia zënë 4.2% të totalit, ata nga Gjermania 2.8%, nga Shtetet e Bashkuara 2.4%, nga Franca 1.9% dhe nga Zvicra 1.6%.

Por si ka ndryshuar fluksi i turistëvë gjatë një viti? Një analizë e thelluar e  ndryshimeve vjetore në numrin  e turistëve tregon se rritja më e madhe është regjistruar për turistët nga Turqia, me një rritje prej 147.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Po ashtu, edhe turistët nga Estonia, India, Kina dhe Hollanda kanë shënuar rritje të konsiderueshme, përkatësisht 108.8%, 91.9%, 64.4% dhe 56.1%.

Në kontrast, Shqipëria nuk ka arritur të tërheqë vizitorët nga Bjellorusia, Arabia Saudite dhe Malajzia, me një rënie të ndjeshme prej 73.4%, 53% dhe 51% respektivisht në krahasim me vitin e kaluar. Po ashtu, ka pasur një rënie të konsiderueshme në numrin e turistëve nga Rusia, Luksemburgu, Bosnje-Hercegovina dhe Serbia, një ulje që varion nga 30% në 41%.

Kjo panoramë e turizmit në Shqipëri tregon se vendi ynë është duke u pozicionuar si një destinacion global tërheqës, për shkak të interest të shtuar të turistëve  nga vende të ndryshme të botës.

Video