Buxheti 2023, Konfindustria: S'ka strategji për krizën!

7 Nëntor 2022, 09:50Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Nisur nga projektbuxheti 2023, si edhe paketa fiskale të prezantuara nga qeveria ka ardhur një reagim nga Konfindustria e cila thotë se tregojnë një mungesë strategjie për përballimin e krizës energjetike.

Përmes një deklarate për mediat, Konfindustria thotë se është e papranueshme që në buxhetin 2023 nuk është parashikuar asnjë fond për vënien në punë të Tecit të Vlorës pas 11 vitesh, ndërsa thekson se e njëjti shpenzim që do duhej për TEC-in e Vlorës po harxhohet për anijet për prodhimin e energjisë.

“Konfindustria vlerëson, se Buxheti dhe Paketa Fiskale 2023, të paraqitura nga ekzekutivi, tregojnë mungesë të qartë të strategjisë të përballimit të krizës energjetike të shpallur zyrtarisht. Është e pakuptueshme, që nuk ka asnjë parashikim buxhetor prej pak milionë $USD për vënien në punë të TEC-it të Vlorës pas 11 vitesh, ndërkohë që parashikohen me qindra milionë euro shpenzim për të njëjtin sasi të prodhimit të energjisë nga anijet e sjella nga Bangladeshi me ndikim shkatërrues mjedisor”, thuhet në njoftim.

Konfindustria është ndaluar edhe në taksën e qarkullimit dhe atë të mjedist, ku kërkon pezullimin e tyre, me qëllim që në këtë kohë krize çmimet të shkojnë në nivelin që kanë vendet e rajonit. Sipas Konfindustrisë, në paketën fiskale duhej të ishte parashikuar ulje fiskale për karburantet dhe gazin në mënyrë që të zbuten pasojat e krizës.

Konfindustria vlerëson, se është e papranueshme, që në Paketën Fiskale 2023 nuk është parashikuar asnjë ulje e ngarkesës fiskale për produkte si karburantet dhe gazi i lëngshëm me qëllim zbutjen e pasojave të krizës energjetike. Konfindustria ka kërkuar në pezullimin e “taksës së qarkullimit” dhe “taksës së mjedisit” me qëllim uljen e çmimeve të paktën në nivelin e shteteve të rajonit. Gjithashtu, kërkohet heqja e plotë e taksave për “gazin e lëngshëm”.

Ndalur në projektin pilot që ka nisur qeveria për financimin e 2 mijë familjeve për panele diellore, Konfindustria thotë se e mbështet këtë nismë, por vlera 2 mln euro është e ulët dhe sipas saj duhet parashikuar mbështetje më e madhe për këtë nismë.  

“Konfindustria mbështet politikën financiare të sapofilluar për familjet dhe bizneset për vetëprodhimin e energjisë elektrike nga panelet diellore. Shuma e shpallur prej vetëm 2 milionë euro është mjaft e ulët dhe duhet parashikuar e shumëfishuar në Buxhetin 2023. Konfindustria vlerëson, se është  e papranueshme mosparashikimi në Paketën Fiskale dhe Buxhetin 2023 të uljes së barrës fiskale si dhe financimit të veshjeve termoizoluese për ndërtesat publike dhe private, njësitë industriale, pajisjeve termike për rritjen e eficiencës energjitike, etj”, përfundon njoftimi.

Video