
Pasi kishte harruar të mblidhej prej 3 javësh, Bordi i Transparencës ka vendosur sot uljen tallëse të çmimeve të karburanteve. Sipas vendimit të fundit, nafta ka zbritur me 4 lekë për litër dhe nga dita e sotme do të shitet me 236 lekë për litër.
Në rënie është dhe çmimi i benzinës, që do të tregtohet me 196 lekë për litër, nga 203 që ishte deri tani. Gazi do të tregtohet me 77 lekë për litër.
Ndonëse në Bursa nafta është në tendencë rënieje prej disa javësh, duke zbritur në nivelet e para sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës, në tregun vendas karburanti vijon të jetë pranë nuveleve maksimale, që arritën deri në 265 lekë për litër në mars.
Prej 12 tetorit, Bordi i Transparencës nuk është mbledhur për të vendosur çmimet e reja, por e ka lënë pa kontroll për të favorizuar oligarkët e naftës. Ky bord u krijua që të mblidhej të paktën 3 herë në javë dhe të reflektonte çmimin e naftës në Shqipëri duke marrë për referencë çmimin në bursë.
Më herët, Vox News ka shpjeguar se Bordi i Transparencës ka në përbërje të saj anëtarë të cilët mbrojnë kompanitë hidrokarbure në vend dhe praktikisht vendosja e çmimit të naftës diktohet nga furnitorët e mëdhenj siç janë Kastrati, Gega, Elda, Bolv Oil etj.