Serbia përfiton dyfishin e Shqipërisë/ BE-ja i jep 160 milion euro Beogradit për krizën, 80 për Tiranën

31 Tetor 2022, 10:56Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Në foto: Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç

Bashkimi Evropian premton 160 milionë euro për Serbinë në zbutjen e efekteve të krizës energjitike që ka përfshirë kontinentin tonë si pasojë e luftës në Ukrainë. Shuma e premtuar nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në takimin e Nishit me Presidentin Vuçiç është sa dyfishi I asaj që iu premtua Shqipërisë.

Turin e saj ballkanik Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen e përmbylli në Serbi. Ajo premtoi dhënien e 160 milionë eurove ndihmë për Serbinë në përballimin e krizës energjitike, një shifër kjo sa dyfishi i shumës së premtuar për Shqipërinë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i rezervoi një pritje në Nish, ku vizituan punimet për ndërtimin e interkonjeksionit të gazit Serbi-Bullgari, projekt i cili duhet të përfundojë deri në shtator 2023.

Por, çështja e sanksioneve të munguara të Beogradit ndaj Rusisë për të dënuar luftën në Ukrainë nuk mbeti jashtë kësaj vizite, me Von der Leyen që la të kuptohet se pa ndëshkimin e Moskës, nuk ka përparim në rrugën e pranimit në BE.

 “Shpejtësia e procesit të zgjerimit të BE-së është në duart e vendeve që duan të anëtarësohen. Këtu nuk po e nisim nga e para, tashmë keni bërë shumë. Por, është e nevojshme të ndajmë të njëjtën vlerë dhe të harmonizojmë politikën e jashtme”, tha Presidentja e Komisionit Europian.

Në reagimin e tij, presidenti serb pohoi mos vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, por I kujtoi zyrtares së lartë të Brukselit se Beogradi respekton integritetin territorial të Ukrainës, por integriteti territorial I Serbisë nuk respektohet, shkruan Ora.

Leyen foli edhe për çështjen e targave, ku bëri me dije se BE dhe partnerët e tij po punojnë për një zgjidhje, e cila, sipas saj, do të vijë së shpejti.

Video