Shtrenjtohen kreditë në lekë, niveli më i lartë i interesave që prej vitit 2018

31 Tetor 2022, 08:06Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rritja e normave të interesit në tregun financiar po fillon të reflektohet edhe në çmimin e kredive të reja në lekë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në muajin shtator, norma mesatare e interesit për kreditë e reja në lekë arriti në 7.07%, niveli më i lartë që prej shkurtit të vitit 2018.

Aktualisht, norma mesatare e interesit të kredive të reja në lekë është rritur me 1.18 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë dhe me 1.6 pikë përqindje krahasuar me muajin mars të këtij viti, kur Banka e Shqipërisë nisi normalizimin monetar.

Rritja ka nisur të marrë tipare të qëndrueshme sidomos pas muajit korrik dhe interesi mesatar i kredive të reja është në rritje tashmë për të tretin muaj radhazi.

Ndërkohë, për huamarrësit ekzistues që kanë kredi me interesa të ndryshueshme, rritja e normave përcillet automatikisht, nëpërmjet treguesit benchmark, që në rastin e lekut është zakonisht yield-i mesatar i bonove të thesarit. Nga muaji mars e në vazhdim, yield-et janë rritur me ritme të shpejta.

Instrumenti më i përdorur benchmark, bonot 12-mujore, në muajin tetor u emetuan me një yield-mesatar të ponderuar prej 5.26%, në rritje me 3.56 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e normave të interesit të kredisë pritet që gradualisht të sjellë një ngadalësim të huadhënies. Kjo nënkupton injektim më të pakët të parasë në ekonomi, duke ngadalësuar konsumin, investimet dhe kërkesën e brendshme dhe duke zbutur presionet inflacioniste, që përfaqëson në thelb edhe qëllimin e politikës monetare në këtë situatë.

Video