Amnistia 3 përqind, vonesa në miratim po kushtëzon shitjet e apartamenteve

9 Korrik 2024, 10:48Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Ekspertët kërkojnë përshpejtim të praktikave për zyrtarizimin e nismës “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”.

Propozimi i bërë nga deputetë të maxhorancës për të rikthyer amnistinë, apo rivlerësimin e banesave përkundrejt një detyrimi tatimor të reduktuar, konkretisht 3 për qind nga 15 për qind që është aktualisht, ka mbërritur në Kuvend thuajse tre muaj më parë, por ende nuk ka marrë aprovimin nga komisionet parlamentare.

Ekspertët thonë, se kjo vonesë në miratimin e nismës, po reflektohet në treg, duke ulur ndjeshëm numrin e transaksioneve të kryera.

Nga studio e emsionit “Box to Box” Demirxhiu, u ndal edhe tek përfitimet që kjo nismë sjell nëse miratohet.

Ulja e detyrimit tatimor nga 15 për qind në 3 për qind për shtëpitë, përcaktuar në draft iu jep mundësi qytetarëve që të përditësojnë vlerën e pasurisë së tyre. Në momentin e shitjes, vlera tatimore reduktohet disa herë më pak, ndërsa ka raste edhe kur zerohet.

Rivlerësimi iu vjen në ndihmë veçanërisht atyre familjeve që duan ta shesin apo ta lënë kolateral shtëpinë që kanë, pasi në kushte normale, detyrimi tatimor është 15 për qind e diferencës ndërmjet vlerës së shitjes dhe asaj që objekti është regjistruar në Kadastër.

Nga kjo amnisti, e cila do të jetë e 5-të në harkun e tri dekadave, janë përfshirë edhe ndërtesat, të cilat janë në proces legalizimi.

Video