Kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi ka reaguar në rrjetet sociale pas mbylljes së punimeve të Asamblesë së Partisë Socialiste.
Bardhi ka komentuar deklaratat e Ramës se nuk i është bërë mburojë askujt në PS ndaj drejtësisë, as Ballukut dhe as Veliajt.
Por Bardhi mendon se Rama “është i kapur mat me rastin e ish-zv.kryeministres”.
Kjo për faktin se sipas Bardhit, mazhoranca e i bëri “avokatinë korrupsionit të Ballukut me 82 kartona në parlament, për të mos lejuar heqjen e imunitetit pas kërkesës së SPAK”.
Ai ka hedhur sërish akuza ndaj SPAK, duke deklaruar se kryeministri “po bën pazare me segmente të SPAK-ut”.
Reagimi i Bardhit:
EDI RAMA, SHAH-MAT ME BELINDA BALLUKUN
Në rastin e Belinda Ballukut, Edi Rama është kapur shah-mat. Sado të përpiqet të lajë duart, nuk mund të fshehë përgjegjësinë e tij për operacionin politik të mbrojtjes së Belinda Ballukut nga drejtësia.
Nuk duhen fjalët e Edi Ramës për të zbuluar mashtrimet e tij. Mjaftojnë veprat.
82 vota të shumicës së tij qeverisëse, më 12 mars 2026, refuzuan kërkesën e SPAK-ut për autorizimin e arrestimit të Belinda Ballukut.
Kjo është avokatia e Edi Ramës për Belinda Ballukun: jo me fjalë, por me kartonë në Parlament.
Këtë vendim e ka evidentuar edhe Komisioni Europian në raportin e fundit për Shqipërinë, duke ngritur shqetësime serioze për kontrollin dhe balancën ndërmjet pushteteve, si dhe për respektimin e parimit të barazisë përpara ligjit.
Edi Rama mund të jetë peng i Belinda Ballukut. Mund të jetë në pazar me segmente të SPAK-ut për të ndarë pushtetin e korruptuar, por Shqipëria nuk meriton të mbetet peng i tyre.
Rruga europiane e Shqipërisë nuk mund të mbahet peng nga korrupsioni, mbrojtja politike e Belinda Ballukut dhe pazaret e drejtësisë politike.