
Dje u bënë 100 vjet që kur më 21 janar të 1925-ës u shpall Republika Shqyptare. Që, megjithëse me ndërprerje, me ulje e ngritje, vijon ende.
Në gjykimin tim, dita e Republikës është po aq e rëndësishme në mos edhe më shumë se dita e Pavarësisë. Dita e Pavarësisë është folklor, se edhe tributë e Afrikës një ditë ja dolën të bëhen të pavarura.
Dita e Republikës është tjetër gjë, është qytetërim, aspiratë për civilizim modern. Ndoshta ndaj edhe nuk e kujtuam fare.
Pavarësia është folklor, Republika është shtetbërje; dhe shqipove po u fole për shtet i bëre hasëm!
Se ja, 100-vjetorin e Pavarësisë si folklor që është - ditëm ta festojmë siç e meritonim, hyxhym me garuzhde në tepsinë e tortës së Pavarësisë.
Ndërsa 100-vjetorin e Republikës e kujtuam thjesht me harresë, ndoshta se me qytetërinë, me atë që Naimi e quan “Dielli lind nga perëndon”, s’kemi ende lidhje.
Lidhje nuk do të thotë aeroplanë e vaporë që shkojnë e vijnë përditë në Evropë, por të bëjmë tonin shpirtin e Evropës.
Atë, shpirtin e Qytetërimit Perëndimor, që është i mishëruar në Republikat dhe Mbretëritë e Kontinentit, sepse Republika nuk është thjesht formë organizmi shtetëror, por mbi të gjitha është “RES PUBLICA”, përkundër tonës, të secilit prej nesh, që është “RES MEA”.
Ka një pamflet të shkëlqyer Faik beu i Konicës, me titull “Monarqi apo Republikë” të publikuar me ‘24-ën, kur bëhej debati për këtë punë. Thotë Faik beu se ai vetë është për Monarqinë ku mbretin do na i caktojë Evropa; se po u bë Republikë, dhe t’ua lësh të zgjedhin shqipëtarët, do zgjedhin për president Shahin Matrakun! (ps. Për ata që s’e dinë, Shahin Matraku ishte një i dalë maleve që deri sa vdiq nuk e mori vesh nëse ishte kaçak apo komit).
Kur të piqen e të qytetërohen shqiptarët pastaj, le ta bëjmë republikë, i jep karar Faiku merakut që e kish zënë.
Që nga koha e merakut të Faik beut shkuan njëqind vjet dhe ndoshta ka erdhur koha të shkojmë ta pyesim sërisht benë e Konicës atje ku i flenë kockat te varri prapa pallateve të Kastratit nëse u poqën shqipëtarët aq sa të zgjedhin President të Republikës. Se ç’do t’u thojë Faiku hajdeni më thoni.
Gjer ahere, në pritje të gjykimit të Faikut, e gëzofsh 100 vjetorin Republika e letrave të mia!