Pse e humbi qetësinë Sali Berisha?

1 Nëntor 2022, 22:15Pikëpamje SHKRUAR NGA MERO BAZE
Sali Berisha gjatë deklaratës që dha mbrëmjen e sotme ku paralajmëroi grupimin e Alibeajt: Ai që prek flamurin e PD i ka bërë hesapet shumë keq

Sapo përfaqësuesit zyrtarë të Partisë Demokratike deklaruan fundin e bisedimeve me Sali Berishën dhe grupin e tij, për t’u bashkuar rreth kandidatëve në zgjedhje, Sali Berisha e humbi qetësinë. Deklarata e tij kundër grupit të deputetve të PD është shumë më e egër dhe më e rëndë se çdo kërcenim rutinë që ai bën ndaj Edi Ramës dhe qeverisë. Madje për ta trashur zërin i kishte futur dhe këta në shënjestrën e 12 nëntorit. Duhet të gjenin dhe këta vrimë të futeshin atë ditë.

I alarmuar se dështimi i lojës së tij me bisedime, në fakt i pret gjunjët turravrapit të tij, ai tani ka vendosur t’i kërcënojë me jetë deputetët kundërshtarë, duke i akuzuar “për prekje të flamurit” të PD, të atij flamuri që më 8 janar e përdhosi me banditët “non grata” të Londrës, në mes të Tiranës.

Përpjekja e tij për të ngritur stekën tek “flamuri”, tek simbolet dhe tek “misioni” i tij, në të vërtetë është e gjitha një humbje qetësie, pasi nuk i funksionoi loja për poshtërimin e tyre dhe nënshtrimin ndaj tij.

Po përse i kërcënon me jetë a vdekje Berisha kundërshtarët e vet? Çfarë po i bëjnë keq ata Partisë Demokratike, përveçse duan t’i heqin asaj njollën e turpit që i ka vendosur Sali Berisha dhe familja e tij në shpinë historisë së saj?

Asgjë tjetër përveç kësaj. Sali Berisha dhe familjarët e tij, që realisht drejtojnë PD, janë nën sanksione ndërkombëtare si hajdutë. Thjesht si hajdutë dhe minues të demokracisë. Partia Demokratike nuk e pranon këtë përdhunim që kjo familje po përpiqet t’i bëjë historisë së saj dhe kërkon që Sali Berisha të mos ketë punë me të ardhmen e kësaj partie.

Vetëm për kaq ky njeri kërcënon me vrasje, me vdekje, me kryengritje, me “vrima” ku do fshihen njerëzit më 12 nëntor prej tij.

Përveçse qesharak, ky shpërthim i tij, në të vërtetë i fakton gjithë kauzat që i janë bërë deri më sot nga faktori ndërkombëtar. I provon akuzën se është një minues i demokracisë, se është dhunues i kundërshtarëve me një gjuhë dhune, dhe mbi të gjitha, është një hajdut që përpiqet të mbrohet politikisht përballë drejtësisë.

E kuptoj se shpërthimi i tij është pak dhe psiqik. Në të vërtetë, deklarata e sotme i ka fikur llambën dhe e bën të pashpresë çdo kandidat të tij në këto zgjedhje, por kjo do të ndodhte dhe pa këtë qëndrim.

Njësoj si më 7 korrik, ai po përpiqet ta përdorë 12 nëntorin si protestë kundër Lulzim Bashës, duke kërcënuar tanimë hapur me vrasje dhe vdekje kundërshtarët e vet brenda PD.

Kjo në fakt e kthen betejën mes tyre në jetë a vdekje, dhe vetëm sa ua legjitimon atyre betejën për ta shkulur Sali Berishën nga PD.

Por përtej kësaj, ajo  që sot duhet të bëjë drejtësia, është t’i regjistrojë këto deklarata për dhunë dhe kërcënime fizike të bëra publikisht dhe të mos thotë nesër që nuk ka fakte për minimin e demokracisë dhe korrupsionin madhor prej tij dhe familjes së tij.

Në çdo vend të botës, retorika e kërcimit me vdekje të kritikëve dhe kundërshtarëve, është objekt i drejtësisë. Por pavarësisht kërcënimeve të  dhunshme,  mirë është të mos e arrestojnë deri në datë 12 nëntor, se duhet ta shikojë me sytë e vet fundin që e pret. Që në datën 13 të mos justifikohet se nuk e lanë t’i “vriste”. Është më mirë  të shikojë se si e lanë të vetëvritej.

Video