Alibeaj do dalë me kandidatë më vete, paralajmëron Berisha: Ai që prek flamurin e PD i ka bërë hesapet shumë keq

1 Nëntor 2022, 18:46Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Berisha

Dy palët e PD-së dështuan në negociata për të hyrë me kandidat të përbashkët në zgjedhjet lokale të 14 Majit të vitit që vjen dhe grupi i Alibeajt paralajmëroi se do të futet më vete.

Lidhur me këtë deklaratë, ka ardhur së fundmi dhe një reagim nga kryetari i PD-së Sali Berisha, i cili gjatë një prononcimi për mediat tha se statuti i 11 Dhjetorit nuk mund të shkelmohet. 

Ai paralajmëroi grupin e Alibeajt se ai që prek flamurin e PD i ka bërë hesapet shumë shumë keq dhe kjo do shihet ditët e ardhshme.

“Statuti i 11 dhjetorit është Kushtetuta e pathyeshme e PD-së së Rithemeluar. Statuti është jashtë çdo lloj kompetence për tu shkelmuar. Ai është dokumenti bazë i PD-së në momentet kur ajo ndodhej përballë alternativës ‘të ishte apo jo’. Është themeli i saj, mbi të cilën është ngritur kjo forcë politike sot, më e fuqishme se kurrë dhe më e fuqishme se çdo forcë politike.

Është ky statut që përbën themelet e fitores në zgjedhjet e 14 majit, por para saj leksionet historike që do të marrë çeta e vjedhësve, hajdutëve të Edi Ramës nga qytetarët shqiptarë.

Sot unë kam një takim me kryetarët e degëve të PD-së së Tiranës, për të dhënë udhëzimet dhe për të bërë diskutimet për përgatitjet për protestën e jashtëzakonshme. Ju nuk mund ta imagjinoni se sa zien sot në të 4-anët e vendit urrejtja ndaj Edi Ramës dhe bandës së tij.

Opozita nuk mund të pengohet nga asgjë për të firmosur fitoren në këto zgjedhje. Zotërinj që janë deputet u ftuan ose erdhën pa asnjë paragjykimi dhe prapamendimi, që të bashkohen nëse donin të garonin për çdo post në këto bashki, të paraqisin kandidatura ose  në përputhje me statutin të krijonin fraksionin, por ata nuk duan mesa duket, ato nuk duan as statutin e as primaret. Ai që prek flamurin e PD i ka bërë hesapet shumë shumë keq, do e shihni ditët e ardhshme.”, tha Berisha.

 

Video