Mero Baze: Përdhunimi i dytë i viktimës së Ilir Metaj, pas 32 vjetësh

1 Shtator 2022, 21:07Pikëpamje SHKRUAR NGA MERO BAZE
Ilir Meta(j)

Ilir Metaj ka bërë sot publike faqe nga dosja e tij në arkivin e Sigurimit të Shtetit, në përpjekje për të akuzuar Autoritetin e Dosjeve për manipulim, nxjerrje sekreti dhe përhapje paniku, sipas tij. Të gjitha këto i shoqëroi dhe me një padi penale ndaj Autoritetit të Dosjeve.

Për disa akuza kishte të drejtë. Fjala vjen, Ilir Meta ndjehej i frikësuar nga ajo që kishte ndodhur. Pra akuza për përhapje paniku kishte prova. Së paku një njeri e kishin panikosur. Po ashtu akuza për nxjerrje sekreti qëndron, pasi u mor vesh që ai ka qenë bashkëpunëtor Sigurimi. Për të tjerat mund të hetojë më tej Prokuroria.

Por nga ana tjetër, vet publikimi i faqeve të dosjes së tij, për të cilën ai kërkon të ruhet sekreti, është një akt i nxjerrjes së sekretit. Publikimi tregon një gjë edhe më të rëndë për Ilir Metën. Dosja është siguruar nga viktima e tij, J.T, i cili u paraqit pranë Autoritetit të Dosjeve një ditë pasi ata i çuan letër Kuvendit, për pengesat ligjore që kishin për të kërkuar më tej për një bashkëpunëtor me emrin Ilir Metaj. Autoriteti i ka vënë dosjen në dispozicion dhe ai e ka çuar atë menjëherë tek Ilir Metaj.

E gjithë kjo tregon, se Ilir Meta vazhdon ta mbajë nën presion atë njeri dhe ta trajtojë si skllav, pasi dëshmia e ilir Metaj kundër tij, e ka bërë dhe atë një njeri të gjunjëzuar nga Sigurimi i Shtetit.

Më pas për vite të tëra gjatë pushteteve të Ilir Metës ai është trajtuar me përkujdesje të veçantë, duke qenë njeri i favorizuar nga pushteti i tij.

Tani ai e ka dërguar atë të shikojë dosjen dhe ta kopjojë atë, me shpresë të gjejë ndonjë mundësi për t’u mbrojtur. Dhe e kishte gjetur mundësinë duke fantazuar se meqë dosja që kishë marrë viktima ishte fotokopje, ishte fals. Në fakt origjinali është tek Autoriteti dhe mund ta shikojë prokurori i çështjes. Kështu dhe sqarohet përfundimisht.

Një tjetër aspekt i dhimbshëm i konferencës për shtyp, ishte pasioni me të cilën Ilir Metaj citonte dosjen, inicialet që përdorte për viktimat dhe denoncuesit. Ai po ashtu u lodh për të na mbushur mendjen se meqë janë dy I.M, por që në fakt në dosje janë të dy, ky pretendon se një I.M e ka shtuar Autoriteti.

Për çështje të origjinalitetit të dosjeve ka institucione ligjvënëse që vendosin. Për autenticitetin e dokumenteve po ashtu. Ilir Meta mund të dëshmojë vetëm për kontributin e vet pranë Sigurimit të Shtetit. E ka shumë të lehtë. Të mos ngatërrohet me interpretime fletësh nga një dosje viktime. Të mos humbasë në iniciale e pseudonime. Të autorizojë Autoritetin të bëjë kërkime të thelluara për të, se nëse nuk ka qenë bashkëpunëtor, do ta ketë ndihmë kërkimin e Autoritetit kur të shkojë në gjykatë. 

Krahasoni qetësinë e Autoriteti të Dosjeve kur ky e akuzon për falsifikim dhe alarmin e tij në përpjekje për t’u mbrojtur që nuk ka qenë spiun, për të kuptuar kujt i është prishur gjumi e kush fle i qetë në këtë histori.

Video