
Në fundin e viteve 1990, kur studentët dhe rinia shqiptare pushtuan sheshet me thirrjet për ndërrimin e sistemit politik, dy prej kërkesave të tyre parësore qenë: botimi i Aktit Final të Helsinkit dhe i Kartës 77.
Në të ardhmen që po vinte në gojët e shqiptarëve dëgjonim të përsëritej shumë shpesh me admirim dhe me dhimbje njëherësh emri i themeluesit të Kartës së Pragës, Vaslav Havel. Ai ishte njeriu që kishte shpëtuar popullin e vet me një revolucion të çuditshëm.
Ishte Revolucioni i Kadifenjtë.
Çekë e sllovakë u ndanë me të kaluarën brenda një nate, duke trokitur gotat e shampanjës. Vaslav Havel, dramaturg, mendimtar i lirë, i dënuar për idetë e tij nga pushteti bolshevik u shfaq në jetën publike si protagonist i së ardhmes pa droje aspak të përqafohej me kreun e ish-komunistëve, Dubçek.
Dhe brenda një nate, çekë e sllovakë vendosën të ndaheshin në dy shtete, duke shkrehur në ajër jo krisma automatikësh por fishekzjarre festive. Këto kujtime filmike më erdhën ndër mend teksa po lexoja librin e fundit, novelë po e quaj unë, ndoshta dhe ese, po kjo ka pak rëndësi në këtë përzierje gjinish në letërsinë e sotme moderne dhe të pakufi.
‘Në kohën e të marrëve’, novela- ese e Shaban Sinanit nuk është një novelë e zakonshme. Me një karakter përqeshës për sjelljet e shqiptarëve në një sistem që ata as nuk e njihnin e as nuk e kishin imagjinuar në atë Shqipëri izolacioniste jo vetëm prej mendësisë, ndodhitë historike rrëfejnë për një kohë të krisur kur njeriut i pat mbetur liria në dorë dhe nuk dinte se c’të bënte me të.
33 vjet më vonë duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar. Protagonistët e Lëvizjes së Dhjetorit ’90 ende janë të ndarë mbi atë se cfarë qëllimet e kësaj lëvizje arritën të krijonin. Nisja e procesit demokratik nuk arriti dot të ruante trajektoren e saj. Përvecse një nostalgjie për ato ditë me shumë intensitet politik, social dhe shpirtëror nuk ka mbetur asgjë tjetër.
Vjeshta ka hyrë. Dhe sërish do përsëritet e njëjta histori e vjetër. Dhjetori do t’i gjejë të ndarë heronjtë tanë. Pavarësisht se projektojmë personazhe të njohur apo jo prej asaj cfarë na ofron teknologjia e sotme si makineria Artificial Intelligence, lëvizja shqiptare e përmbysjes së komunizmit mbetet ende pa autor.
A do të mundet ajo të na japë ndonjë emër? Kjo nuk është tallje sigurisht por një hall i madh që pushton cdo dhjetor një brez të tërë të atyre viteve.
E vërteta është se forca e djathtë shqiptare nuk e ka dhe s’mund ta ketë më monopolin e asaj lëvizjeje. Ndoshta se pjesa dërrmuese e lëvizjes së dhjetorit nuk është më në Partinë Demokratike. Ndoshta sepse që në fillim u kuptua se ajo parti nuk mund të përfaqsonte lëvizjen e dhjetorit si një ideal politik, si një ideal reformimi i shoqërisë shqiptare.
Kjo është ndoshta dhe arsyeja pse në aspektin politik gjithcka ka mbetur aty ku ishte. Po të lexosh novelën -ese të Sh. Sinanit e kupton pse duhet të të vijë keq prej padijes shqiptare. Ndaj ti sot buzëqesh kur rreshton ngjarjet një pas një me personazhet që i njeh dhe ua gjen emrin menjëherë ndërsa autori ua ka kursyer rrezikun e përvecimit publik.
Ndoshta për etikë. Ndoshta për të qeshur nën zë. Jo me të madhe. E qeshura e turmës është e dënueshme. Kush të dojë mund t’i tallë edhe ashtu, nën zë.
Ashtu si bëra unë.
Të padukshëm tej anës perëndimore të murit të madh, turma qytetarësh nga pjesa lindore e tij u mblodhën atë kohë të dëgjonin Reganin, me shpresën se tingujt e zërit të tij do të arrinin dhe në anën e tyre. Ndaj kjo ishte arsyeja përse Regan, iu drejtua personalisht, liderit sovjetik, Michail Gorbacov më 12 qershor të vitit 1987 me thirrjen e fuqishme: Mr. Gorbacov, Open that GATE!
Kishin qenë të thella shumë ato punë. Ndërkaq turmat shqiptare bërtisnin cdo mëngjes para rezidencave diplomatike në Tiranë, duam vizat tona. Teksa i lexoj mes rreshtave të Sh. Sinanit këto ndodhi mund të qeshësh por dhe mund të ndihesh i turpëruar për të njohurit tanë që donin të iknin me një formular të vetëm në dyert e një ambasade të huaj që kush e di c’mendje e çmendur e kish shpikur për njeriun e varfër shqiptar.
Po të gjykosh ngatë përditshmet, del se në atë periudhë hutimi kanë ndodhur transformime të hatashme që do t’i kishte zili dhe Magjistari i Mom sepse në Shqipërinë tonë të vogël qahej dhe po aq lehtë qeshej në të njëjtën kohë.
Më shumë sesa cdo gjë tjetër, në sprovë ishte njeriu me të drejtat e tij. Muri do të binte por a do të binte në kokën e tij?
Kishin kaluar më shumë se 50 vite që prej ndarjes së madhe. Dhe trandi i gjendjes shpirtërore të popujve në vendet e Lindjes ishte po aq i madh. Më kot janë bërë kërkime për të saktësuar fillimin e kësaj mbrapshtie. Asnjë historian nuk ka rënë në një mendje për këtë. Mospajtimet shtohen vecanërisht nga që ata nuk kanë mundësi të shfrytëzojnë burime arkivore sepse pikërisht atëherë arkivat u mbyllën deri në një kohë të caktuar.
Sepse ishim vërtet mesa duket Në Kohën e Të Marrëve.
Në kohën e dalldive, të cilat pavarësisht magjisë që reflektojnë një cast shuhen gjithmonë shumë shpejt.