
Albano Bogdo paska nisur një emision demek "late night show" dhe për të marrë vëmendje u detyrua të drejtohet drejt një humori "kaps", sikurse sipas meje ka bërë kohët e fundit.
Hiq skeçet në fillimet e tij, Albano nuk e kam dalluar më nëse bën "aktorin komik" apo "lacin që do të bëjë për të qeshur çunat e lagjes"?!
Për ata që nuk e dinë, duke folur për largimin e Alban Ramosajt nga muzika në emisionin e tij, Albano tha se "A e dini kush është Alban Ramosaj? Është ai tipi që i *** motrën Donaldi në Big Brother".
Si fillim, Alban Ramosaj është një artist i vërtetë i cili gjithmonë është munduar të rrijë larg komercialitetit, me një stil të veçantë, shumë i talentuar, dalë nga një talent-show si "The Voice". Albani ka qëndruar larg skandaleve dhe është vlerësuar nga publiku për këngët e tij. Në një moshë fare të re, ai triumfoi në "Kënga Magjike" përballë emrave shumë të mirë të muzikës shqiptare me "Thikat e mia" dhe shkoi shumë pranë "Eurovision" duke dalë i dyti në "Festivalin e Këngës" me "Theje" që publiku e dashuroi. Bota artistike e Albanit është shumë më e pasur se komedia jote banale që merret me jetën personale të njerëzve, Albano.
Së dyti, si një artist që pretendon se je, e që supozohet të kesh një mendje të hapur dhe botë të madhe, më bën çudi që ty të bën çudi që dy të dashuruar në një lidhje të kryejnë marrëdhënie seksuale. Edhe pse ne nuk dimë që diçka e tillë të ketë ndodhur në "Big Brother VIP" vitin që shkoi, ti Albano dhe të tjerë si ti duhet të mësojnë se në një raport seksual djemtë dhe burrat nuk janë "të priviligjuar" dhe "mbretër" dhe vajzat dhe gratë të turpëruarat. Ky nuk është as humor i zi, as humor cinik, është ushqim i maskilizmit që ekziston në shoqërinë shqiptare. Sepse në 2023 ende hymë në shtretërit e vajzave e motrave të njëri-tjetrit. Pse nuk hyre me humorin tënd cinik e të zi në shtratin e Albanit minimalisht, Albano? Apo se kjo gjë nuk do i bënte për të qeshur burrat që kishe në studio duke u zgërdhirë?! Po ti Albano, a je vëllai i një motre që fle me një burrë?
Së treti, ku është AMA? Në një kohë që televizioni është kthyer vetëm në biznes dhe ka lënë pas çdo funksion edukues, çdo ditë shohim degradime edhe më të mëdha. Banalitet, lakuriqësi, seksizëm, maskilizëm... çfarë të presim tjetër? Të merren thikat dhe armët vetëm për show dhe klikime? S.O.S. Është alarm. Më shumë se alarm. Çdo ditë shqiptarëve u serviret degjenerim, shthurje, antivlera. AMA si institucioni i monitorimit të mediave audiovizive duhet të marrë masa urgjente. Kjo që na serviret në ekranet tona nuk është veçse pasqyrë e realitetit ku jetojmë e po rrisim brezat e rinj. Dhe AMA është përgjegjëse direkte për çfarë shohim e dëgjojmë.