E keni dëgjuar ndonjëherë emrin Sokol Sulisufaj?

26 Korrik 2024, 22:25Pikëpamje SHKRUAR NGA FATJON GJINAJ
Sokol Sulisufaj

Ai është një shqiptar Tropoje që i ka dhënë fund jetës, atje në trojet e veta ku prej disa muajsh me sa duket ishte tërhequr nga Tirana e pisët, Tirana e ashpër, Tirana e rrëmujshme dhe e egër, si duket për të planifikuar takimin e tij, në fshatin Gri, me Perëndinë që besonte.

“Pse s’je dukur këtej or Kol”? E pyetëm para disa javësh në dyert e SPAK, ku dukshëm s’ishte më ai i mëparshmi që dëgjonte vetëm zërin e vetes. “Jam tu nejt n’bjeshkë, kam ra rahat, nja gjashtë muj po rri anej, larg krimit e korrupsionit”, tha Sokoli.

Në fund të viteve ‘90, Sokol Sulisufaj merr udhët e mërgimit. “Nga të paktët shqiptarë që u integrua në Britaninë e Madhe, ku fitoi reputacion njerëzor dhe ekonomik, duke shërbyer si një magnet për djemtë e fisit dhe të Tropojës, të cilët gjetën strehë e bukë, gjetën punë e “lavdi” në tokën e premtuar falë Kolit”, thonë familjarë të tij.

Lëvizjet e Sokolit në tërë Kontinentin e Vjetër janë veçse bileta avioni, e atdheun se la kurrë.

Investoi në Tiranë e Durrës, duke ngritur mbi djersën e tij (si shumë shqiptar jo fort lehtë, por që i takonte ndërgjegjes të secilit), “perandorinë” që do e trashëgonin brezat.

Babai i fëmijëve të arsimuar mirë, me prestigj, njëri prej tyre në Britaninë e Madhe si përfaqësues i një zyre avokatie. Vetë u diplomua në Juridik, në një universitet privat në Tiranë.

E kur ishte në majën e lavdisë, Sokoli bie në qelitë e burgut në një nga vendet e parajsave financiare siç është Zvicra.

Dënohet me diçka më tepër se një vit, por Sokoli si duronte prangat apo dhomat e errëta e të ftohta të qelisë.

Organizon me bashkëvuajtës të tjerë mes të cilëve edhe shqiptarë, një revoltë.

Autoritetet zvicerane e izoluan. Të dhënat mjekësore thonë se i bënë edhe vaksinë.

Lirohet pas 6 muajsh dhe vjen në Shqipëri.

Dukshëm kishte ndryshuar. Këtu gjen një realitet të hidhur me pronën që sot vlen miliona euro në zemër të Tiranës, pranë “Rrugës së Elbasanit”.

Përdoruesi e kishte vënë si garanci bankare. Sokoli e fitoi betejën me drejtësinë e jo më shumë se një vit më parë, e mori edhe hakun e asaj prone që sot gëzohet ligjërisht më në fund nga dikush që pati interes ta blinte.

“Trajtimet mjekësore nuk mund të dilnin mbi forcën e asaj vaksine në skutat e burgjeve zvicerane”, thonë familjarët.

Sokoli me një tjetër godinë disakatëshe në Tiranë, e një po aq në Durrës, Sokoli që vinte pranë SPAK i parfumosur e veshur me rroba firme, dhe bërtiste i revoltuar jo për hallet e veta, por për realitetin shqiptar, nuk është më, dhe arsyet i ka marrë me sa duket me vete, andej në botën e pasosun.

“3 vite më parë përfshihet në një aksident në Farkë të Tiranës. Zbret nga mjeti dhe shikon që nuk zgjidhej aty për aty situata. Telefonon policinë dhe pala tjetër pretendon se u sulmua nga Sokoli. E marrin e çojnë në burg. Ka qëndru 6 muaj në burgun e Zaharisë në Krujë duke e trajtuar si të çmendur. Dyshojmë se edhe aty mund ti kenë bërë diçka ngjashëm si në Zvicër. E nxorëm me shumë mundime. E besonim Sokolin, s’na gënjente kurrë, na betohej që s’kishte faj dhe përfituan prej tij”, thotë një familjar i të ndjerit.

Jam ulur bashkë me kolegë të tjerë disa herë në kafe me Sokolin (Kola e thërrisnim ne), dhe ishte pikërisht ashtu siç ta merrte mendja nëse do e shikoje kur ulëriste me syrin e kureshtjes, i ditur, i shkathët, i urtë, i ndjeshëm dhe kurajoz.

Të enjten e 25 korrikut, kishte qenë në Tiranë. Një kushëri i tij nga Tropoja rrinte shumicën e kohës me të, pasi i voziste mjetin kur nuk donte ta merrte vetë. Deri në orën 11:00 kishin shëtitur bashkë në qytetin e bukur të veriut pas kthimit nga kryeqyteti.

“Ik n’shpi, po shkoj të qetësohem. Mos eja herët, nga ora 6 e mramjes hajde si të ketë freskuar moti se s’dilet n’tan k’të zheg”.

E kështu u ndanë.

Por në orën 6 të mbrëmjes Sokoli s’përgjigjej në pragun e shtëpisë, nuk ngrinte telefonin.

Ishte la e ndrru, rrujtun e veshun, dhe kishte thënë pirdhuni të gjithë, ju që më infektuat, ju që deshët të më merrnit pasurinë, ju që edhe më tallët, fitova mbi të gjithë e ndaj të gjithëve, e tash jam tu ik aty ku s’ka dreqër me brirë.

I shkruajta këto radhë, për të mos e lënë jetën dhe historinë e një shqiptari pa rrëfyer dhe vdekjen e tij, si diçka krejt personale e familjare.

Vdekja e Sokol Sulisufaj është vdekje shqiptare, vdekje në mërgim, vdekje nga vuajtjet, vdekje për shkak të moskuptimit të madh, vdekje nga zilia e smira e të tjerëve, vdekje nga fajësimi i të pafajshmit, vdekje nga injektimi i të keqes, vdekje nga moszgjidhja e mospërgjigjja, vdekja nga paragjykimi e dhuna.

Më erdhi si bombë lajmi i ikjes së tij, dhe duket çudi mbase për ndonjë që flas kështu për të panjohurin në këtë variant të të shumënjohurit Sokol Sulisufaj, por edhe premje në besë nga nga ana e tij lidhur me takimin e fundit, ku u betua se kafen e radhës do më lejonte ta paguaja.

(S’është çështje e një kafeje kjo, është histori shqiptare, e mbi të gjitha, histori drejtësie)

Prehu në paqe Kol, të lehtë e paç dheun e Tropojës!

Video