Të flasësh për kancer nuk është e thjeshtë!

19 Korrik 2024, 09:35Pikëpamje SHKRUAR NGA SILVANA SHAMETAJ RULI
Silvana Shametaj Ruli/ Silvana Çeliku, shefe e Spitalit Onkologjik

Të flasësh për kancer nuk është e thjeshtë.

Përmendja e kësaj fjale sjell dhe ndjell përjetime negative jo vetëm për pacientët por për të afërmit dhe miqtë.

Video që tashmë është virale e drejtueses së shërbimit onkologjik në komisionin parlamentar të shëmdetësisë, ndodhi vetëm pak javë pas publimit të dosjes së mjekëve të po së njëjtës klinikë.

Si të tilla, këto ngjarje duhet të na bëjnë sërish të reflektojmë thellë.

Për ta nisur me kulturën tonë  që sëmundje të tilla sidomos patologjitë i sheh dhe konsideron si faktor invaliditeti dhe bllokues të aktiviteteve të përditshme.

Por prioritet i padiksutueshëm mbetet kërkesa për ndihmë që paraqet pacienti.

Duke u bazuar ne “buonsens”-in  bazik që përgatitjen shkencore e zotërojmë mbetet për të diskutuar gjatë mbi pjesën tjetër, aftësinë për të komunikuar me pacientët.

Për të sëmurin me patologji onkologjike informacioni dhe komunikimi janë medikamentet e para me të cilat ai ose ajo bie në kontakt.

Njohja me diagnozë  është nisja e një rrugëtimi të gjatë. Shpeshherë shumë të vështirë pa përmendur këtu fiziopatologjinë e sëmundjes por vetëm aspektin psikologjik.

Është përqasja mbi këtë aspect që shpesh herë ndihmon ose dhe përkeqëson gjendjen e pacientit.

Personalisht, pas shumë vitesh eksperiencë me pacientë me patologji onkologjike jam e bindur që komunikimi dhe informimi në mënyrë graduale dhe mbi të gjitha humane ndikon pozitivisht në përqasjen ndaj diagnozës dhe terapisë.

Sot gjen me dhjetra analistë në studio televizive e rrjete sociale, gjithologë që marrin përsipër të flasin dhe japin receta edhe për çështje delikate siç është shëndeti apo trajtimi i pacientëve me sëmundje të rënda.

Për të qenë një specialist i mirë nuk mjaftojnë vetëm përgatitjet shkencore dhe trajnimet. Në mjekësi nuk mjafton vetëm saktësia terapeutike.

Përgatitja për t’u përballur me shumëllojshmëri sëmundjesh dhe situatash sjell si domosdoshmëri dhe përgatitjen e mjekëve në disa drejtime psiko-sociale.

Është e drejta e ligjshme e të sëmurit të informohet për gjendjen e tij shëndetësore, por është detyra jonë të komunikojmë në mënyrë të saktë, të përmbledhur e të kuptueshme për pacientin.

Në një kohë kur shumë nga ne e kanë humbur vlerën e fjalës, të zgjedhësh fjalët sa më pak traumatizuese është shenjë respekti ndaj të sëmurit dhe dhimbjes.

Kjo është detyra delikate dhe e rëndësishme e të komunikuarit në mjekësi.

T’i sigurosh pacientit trajtimin e duhur është domosdoshmëri e pa negociueshme, të minimizosh sa të mundet listën e pritjeve, të informosh pacientët për terapi alternative dhe të kujdesesh për gjendjen psikologjike si dhe për rehabilitimin e tyre është detyrë.

Ne mjekët mësohemi të themi atë që askush nuk do të donte ta dëgjonte.

Pikërisht për këtë fakt duhet ta bëjmë këtë nëpërmjet shpresës, besimit e dinjitetit duke shkuar përtej kurës së patologjisë organike.

Shkenca, mundësia apo dhe pamundësia për kurim mund të ecin bashkë apo veç e veç por respekti e humanizmi është ai që i mbijeton çdo mundësie dhe teksti shkencor.

Video