Si avokat dhe pjesë e sistemit të drejtësisë, ndiej detyrimin profesional dhe qytetar të shpreh kundërshtimin tim të prerë ndaj Draft-Kodit të ri Penal, i cili ndodhet në proces miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë.
Ky draft nuk është një reformë për drejtësi më të mirë. Përkundrazi, ai përmban elementë që rrezikojnë seriozisht profesionet e lira, përfshirë avokatët, kontabilistët, përkthyesit, ekspertët privatë dhe shumë të tjerë.
Cilat janë problemet kryesore?
Kriminalizimi i shpërblimit profesional:
Dispozita të draftit parashikojnë ndjekje penale për pagesa që profesionistët marrin për punën e tyre, duke i vlerësuar ato si “të pajustifikuara” ose “të papërshtatshme”. Kjo cenon marrëdhënien e ndershme kontraktore dhe krijon frikë dhe pasiguri për çdo profesionist të ndershëm.
Goditja e pavarësisë së avokatit dhe profesioneve të pavarura;
Drafti hap rrugë për ndjekje penale ndaj avokatëve dhe profesionistëve që përfaqësojnë ose këshillojnë klientë, duke cenuar drejtpërdrejt të drejtën për mbrojtje dhe pavarësinë e profesionit ligjor.
Gjuha e paqartë, rrezik për çdo qytetar;
Shprehje si “mosmarrje masash”, “mosrespektim i përgjegjësisë”, “rrezik i lartë” etj., janë aq të paqarta sa mund të interpretohen në çdo drejtim – duke e kthyer çdo gabim teknik në përgjegjësi penale.
Mungesa e konsultimit me grupet profesionale;
Ky kod është hartuar pa dialog me Dhomat e Avokatisë, profesionistët dhe shoqërinë civile. Ligje të tilla nuk ndërtohen në errësirë, por me transparencë dhe përfshirje të plotë.
Ky draft rrezikon të ngufasë zërat kritikë dhe profesionet e pavarura, të frikësojë profesionistët, dhe të minojë shtetin e së drejtës në vendin tonë.
Nëse ky kod miratohet në formën aktuale, ai nuk do të jetë një mjet për drejtësi më të mirë, por një rrezik për lirinë e çdo profesionisti dhe qytetari të ndershëm.
* Avokat Erion Ismailaj është Sekretar i Dhomës Vendore të Avokatisë Berat