Mëngjes në hije

29 Korrik 2025, 19:12Pikëpamje SHKRUAR NGA OPINION
Godina e Kryeministrise

Ky nuk është thjesht një shkrim. Është një çast vështrimi, aty ku drita e mëngjesit nuk zgjon vetëm rrugët, por edhe mendimet e fjetura. Është ora gjashtë, dhe Kryeministria rri ende në hije, e heshtur, por jo pa zë.

E përditshmja më ka mësuar të mos i kushtoj vëmendje gjërave që nuk ndryshojnë. Por sot, sytë më ndalen ndryshe, tek hyrja e godinës dhe oborri i saj.

Që nga dita e parë, Edi Rama vendosi aty dy gjurmë, dy shenja që nuk ishin rastësore. Hyrja, si skenë Broadway-i dhe kërpudha, ajo strukturë enigmatike që qëndron në një cep të godinës, në heshtje, por jo në harresë. Dy gjeste të para, të thjeshta në pamje, por thellësisht të ngarkuara me kuptim.

Hyrja, me shkallët e saj teatrale dhe portën që kujtojnë më shumë një teatër sesa një institucion shtetëror janë portali i një spektakli që nuk mbyllet kurrë. Është hyrja e një njeriu që nuk vjen për të administruar, por për të dominuar; jo për të kaluar, por për të qëndruar. Një vend ku politika është kthyer në regji, dhe shteti në skenografi. Edi Rama, regjisori absolut i skenës shtetërore, një “One Man Show” i zgjatur pafundësisht, ku publiku shndërrohet në sfond dhe spektakli është vetja e tij.

Dhe pastaj, kërpudha, e padukshme për shumëkënd, por gjithmonë aty. Si një gjysmë-përrallë urbane, si një shënim në fund të faqes që ka marrë gjithë faqen. Ajo nuk është thjesht një instalacion, ajo është një metaforë. Sepse kërpudhat nuk mbillen; ato dalin vetë. Dalin në tokë të lagësht, në vende ku nuk pritet jetë, në plasaritje toke, në rrënjë pemësh të kalbura, në terr dhe në heshtje. Dhe mbijetojnë gjithnjë.

Mëngjes në hije

Kërpudha, aty në oborrin e Kryeministrisë, është si hija e pushtetit që mbin kudo, pa leje, pa zhurmë, por me një këmbëngulje që s’njeh stinë. Ajo është gjurma që mbetet edhe kur gjithçka tjetër fshihet. Është simboli i atij pushteti që nuk ka nevojë të bërtasë për të qenë. I qëndron shiut, diellit, harresës. Nuk ka rrënjë të dukshme, por nuk zhduket kurrë.

Janë dy simbole që nuk janë lëvizur që atëherë. Sepse nuk janë thjesht pjesë dekori, janë shpallje të heshtura për përjetësinë e një figure në atë vend. Si të ishin rrënjë të ngulura në beton. Të parat që u vendosën. Të fundit që do të hiqen!

Në një vend ku gjithçka është e përkohshme, ato qëndrime duken të përjetshme. Si vetë ai!

J.S.


Video