Të dashur miq,
Jo shumë kohë më parë, nuk e kisha imagjinuar veten se një ditë, do qëndroja në këtë podium duke folur për një ngjarje kaq të rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë kombin shqiptar.
Por, siç e dini, që nga qershori i këtij viti, kryej detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Vjenë.
Kjo detyrë kaq e nderuar dhe njëkohësisht e mrekullueshme, më ka frymëzuar thellësisht dhe i jam përkushtuar me gjithë zemër e plot entuziazëm si kurrë më parë. Ndoshta, ngaqë kjo lidhet me faktin kuptimplotë se këtë mision po e përmbush në një vend që historikisht ka qenë mik dhe mbështetës i atdheut tim. Pikërisht për këtë arsye, Ismail Qemali, përpara se të shpallte pavarësie më 28 nëntor 1912 në Vlorë, erdhi këtu në Vjenë për të kërkuar mbështetje – dhe kjo mbështetje iu dha bujarisht.
Por kjo ndihmë nuk kufizohej vetëm te Perandoria Austro-Hungareze. Edhe Republika e Austrisë i ka qëndruar pranë në momente të tjera historike Shqipërisë.
Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, lidhja mes Vjenës dhe Tiranës u bë edhe më e ngushtë. Që nga ai moment, Austria e ka mbështetur vendin tonë në shumë mënyra. Aktualisht, janë gati 100 kompani austriake që veprojnë në Shqipëri, përfshirë Raiffeisen Bank, Porsche, Unica Group Austria, Vienna Insurance Group, EVN, Verbund, LF Construction, Strabag, Rogner Hotel etj.
Veçanërisht e rëndësishme mbetet mbështetja zyrtare e Austrisë për ëndrrën evropiane të Shqipërisë.
Kam kënaqësinë t’ju rikujtoj se Shqipëria ka hapur Cluster-in e parë, veçanërisht kapitujt 23 dhe 24. Dua të shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar Austrinë për mbështetjen e saj në reformën në drejtësi, që është thelbësore për gjithë procesin e integrimit. Qëllimi i Shqipërisë është që deri në vitin 2030 të jetë gati për anëtarësim në BE.
Por unë jam mëse i bindur se pas përfundimit të këtij proçesi transformues, Shqipëria do të jetë një anëtare e aftë e Bashkimit Evropian dhe një partner i besueshëm i saj mbasi ajo mbart dhe ndan vlerat e përbashkëta evropiane.
Po ashtu, jam akoma dhe më i sigurt se Shqipëria, në këtë rrugëtim të gjatë dhe sfidues drejt Brukselit, ashtu si në të kaluarën, do të ketë mbështetjen e Austrisë.
Zonja dhe zotërinj,
Nuk duhet të harrojmë komunitetin e madh shqiptar në Austri. Pas rënies së sistemit komunist, emigrantët e parë gjetën këtu mikpritje, dashuri dhe kujdes. Ata ndërtuan familjet e tyre, nisën një jetë të re, mësuan nga ju – dhe i bashkuan me ato vlerat më të larta qytetare që sollën me vete nga atdheu i tyre.
Unë jam krenar për brezin e parë që erdhi në vitet 1990, dhe akoma më shumë për brezin e dytë që u lind këtu. Edhe pse tashmë zotërojnë shtetësinë austriake, ata mbartin vlerat më të mira të të dy vendeve tona. Po ashtu, më mbush me krenari kur shoh e dëgjojë se studentët shqiptarë që studiojnë në universitetet austriake, arrijnë rezultate të shkëlqyera.
Siç e përmenda në fillim, shpallja e pavarësisë së Shqipërisë ndodhi në Vlorë, një qytet historik dhe tejet i bukur. Edhe unë vij nga Vlora dhe, për ta pasuruar këtë festë këtu në Vjenë, kam ftuar Ermal Dredha - kryetarin e bashkisë së qytetit tim i cili, për t’ju prezantuar sharmin dhe traditën, ka përgatitur një program që bashkon turizmin dhe folklorin. Në veçanti, dëshiroj ta falenderoj që plotësoi dhe një kërkesën time: të sillte në Vjenë një nga grupet më të mira të muzikës polifonike në vend, grupin “Çipini – Krenaria e Kombit” drejtuar nga Tomorr Lelo.
*Prof. Fate Velaj
Ambasador i Shqipërisë në Austri
Fajala solemne me rastin e 112 Vjetorit të Shpalljes së pavarësisë dhe
80 Vjetorit të Çlirimit të Atdheut