
Vijojnë hetimet për të zbardhur autorët dhe motivin e atentatit të ndodhur të shtunën, 11 qershor 2022, në Sauk afër TEG-ut, kur makina në të cilën udhëtonte Aleksandër Sadikaj shpërtheu në ecje e sipër.
Nga informacionet e para të grupit hetimor dyshohet se shpërthimi është aktivizuar me telekomandë në distancë dhe jo me telefon celular.
Grupi hetimor ka verifikuar dhe itinerarin e 27 vjeçarit para atentatit dhe mësohet se një natë para ai ka qenë në një lokal në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë që është në pronësi të tij, deri pas mesnate, më pas ai është larguar drejt banesës në zonën e Saukut.
Dyshimet janë se pikërisht këtë kohë kanë shfrytëzuar autorët për të instaluar lëndën plasëse sipër gomës në krahun e shoferit prandaj po verifikohen kamerat e sigurisë.