Vodhën pakot me ndihma të dhuruara për qytetarët, arrestohen 4 punonjës të bashkisë Pogradec

28 August 2022, 13:13Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Vodhën pakot me ndihma të dhuruara për qytetarët, arrestohen

Katër punonjës të bashkisë së Pogradecit kanë rënë në prangat e policisë pasi vodhën ndihma të dhuruara për qytetarët. Ata janë identifikuar si Reshit Fraholli; Raif Muçka; Bektash Xhudellari; Marsel Muçllari.

Njoftimi i plotë

Finalizohet operacioni policor i koduar "Pakoja e fundit", për goditjen e veprimtarisë kriminale të vjedhjes.

Vodhën duke shpërdoruar detyrën, pako me ndihma të dhuruara për qytetarët, vihen në pranga 4 punonjës të bashkisë Pogradec, bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale.

Sekuestrohen pakot e vjedhura dhe automjeti me të cilin do të transportoheshin.

Nisur nga një video e publikuar mbrëmjen e djeshme në rrjetet sociale, në të cilën shfaqeshin punonjës të bashkisë Pogradec që vidhnin pako me ndihma të dhuruara nga donatorë të huaj për komunitetin e Pogradecit, menjëherë specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Pogradec filluan veprimet për verifikimin e rastit dhe për identifikimin e personave përgjegjës.

Nga provat e grumbulluara dhe nga hetimet e mëtejshme të kryera, u bë i mundur dokumentimi i plotë i kësaj ngjarjeje. Si rezultat, u arrestuan në flagrancë shtetasit:

- R. F., 58 vjeç, banues në fshatin Çërravë, Pogradec;

- R. M., 58 vjeç, banues në Pogradec;

- B. Xh., 35 vjeç, banues në Hudënisht, Pogradec;

- M. M., 35 vjeç, banues në fshatin Çervenakë, Pogradec.

Këta shtetas, me detyrë punonjës pranë bashkisë Pogradec, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në ambientet e pallatit të sportit, në qytetin e Pogradecit, vodhën disa pako me ndihma, të dhuruara nga donatorë të huaj, për komunitetin e kësaj bashkie. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pakot me sendet e vjedhura dhe një automjet tip "Audi", me të cilin do të transportoheshin.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale "Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën", kryer në bashkëpunim. Pogradec-Në kuadër të operacionit "Pakoja e fundit", u arrestuan në flagrancë 4 punonjësit e bashkisë Pogradec: Reshit Fraholli; Raif Muçka; Bektash Xhudellari; Marsel Muçllari.


Video