Gjykata ka liruar nga detyra katër nga gjashtë të arrestuarit ku përmes falsifikimit të dokumentave tjetërsuan nga tokë shtetërore në pronësi të tre shtetasve mbi 10 mijë m2 truall në Sarandë.
Gjyqtari Shkëlzen Licaj ka vendosur masën e sigurisë "arrest shtëpie" për Pandi Zhongen, Drejtor i Urbanistikes ne Bashki, Rovena Alikajn, juriste në ASHK, Arhondia Caraj, përfituese trualli dhe Valter Llomi, përfitues trualli. Ndërkohë për noterin Aleko Anagnostin dhe një nga përfituesit e truallit, Fredi Merkuri, u dha masa “Arrest në burg” me afat 45 ditë.
Vlen të theksohet fakti se prokurori Kledian Llaho kishte këruar masën “Arrest shtëpie” vetëm për juristen Rovena Alikaj, por gjyqtari ka liruar edhe tre të tjerë.
Të akuzuarit dyshohen se përmes falsifikimit të dokumentave, miratimit të lejeve të ndërtimit nga bashkia Sarandë dhe hipotekimit më pas në zyrës e ASHK-së Sarandë, kanë tjetërsuar tokën shtetërore prej 10 mijë metra katror tek biznesmenët, të cilët kanë ndërtuar aty. Sipërfaqja tokësore, para tjetërsimit shërbente si hapësirë e gjelbër, lulishte, për qytetin e Sarandës.
Prokuroria e Sarandës përgjatë dy viteve hetime arriti të zbulojë se në këtë skemë të tjetërsimit të pronës publike janë përfshirë 10 persona, si zyrtarë, biznesmenë dhe qytetarë. Në krye të listës është ish-drejtori i Kadastrës së Sarandës, Ardian Kola, i cili ka mbajtur detyrën në vitet 2019-2020. urdhri i arrestit ndaj tij u lëshua nga prokuroria këtë të enjte, por burimet bëjnë me dije se ai është larguar jashtë vendit. Po kështu në kërkim janë shpallur dhe dy vëllezërit, Behar dhe Bedri Muçobega, pronarë të një hoteli në Sarandë dhe që do të ndërtonin një të dytë në tokën shtetërore që përfituan përmes dokumenteve false.