Tjetërsimi i 10 mijë m2 tokë shtetërore në Sarandë, prokuroria: Janë përfshirë nënpunës shtetërorë dhe biznesmenë

2 June 2022, 15:17Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Tjetërsimi i 10 mijë m2 tokë shtetërore në
Ardian Kola

Prokuroria ka reaguar lidhur me hetimet për tjetërsimet e 10 mijë m2 tokë në bregdetin e Sarandës. Në reagimin e bërë, prokuroria bën me dije se kishte kërkuar nga gjykata vënien nën sekuestro të truallit që pretendohet se është tjetërsuar.

Ndërsa në vijim, bëhet me dije se organi akuzës po shqyrton urdhërat e ndalimit për 10 persona dhe më pas do të caktohet masa e sigurisë për ta.

Njoftimi i Prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, në kuader të procedimit penal Nr. 605 të vitit 2020, pas zbatimit të urdhërave të ndalimit, ka kërkuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqesor Sarandë caktimin e masës së sekuestros preventive në lidhje me pasuritë objekt hetimi, të cilat dyshohet se jane regjistruar në Agjensinë Shtetërore të Kadastrës Sarandë mbi bazën e dokumentave të falsifikuara.

Gjykata e Rrethit Gjyqesor Sarandë me vendimin Nr.50 dt. 02.06.2022, ka vendosur caktimin e masës së sekuestros preventive për një siperfaqe toke prej 10 230 m2, ndodhur në Turizëm-Kanal i Çukës Sarandë, në afërsi të vijës bregdetare.

Në vazhdim, organi i akuzës po vijon punën për vleftësimin në gjykatë të urdhërave të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurisë për 10 persona të dyshuar për veprat penale “shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ‘pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, ‘falsifikimi i dokumenteve’ parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal. Në këtë veprimtari dyshohet se janë të përfshirë nënpunës shtetërorë, biznesmenë dhe shtetas të tjerë.

Kujtojmë se pas operacionit të prokurorisë për tjetërsimin e 10 mijë metrave katrorë, është shpallur në kërkim Ardian Kola, ish drejtues i ASHK Sarandë për periudhën maj 2019-korrik 2020. Kola ka qenë edhe kryetar i degës së Partisë Socialiste në Sarandë në periudhën maj 2018 – tetor 2020.


Video