
Zbardhen detaje nga tentativa e grabitjes së një banke të Nivelit të Dytë në zonën e ish-Parkut të autobusëve.
Bardhyl Fusha, ka hyrë në bankë i armatosur, ndërkohë që policët privatë kanë arritur ta neutralizojnë.
Mësohet se punonjës të shoqërisë private të ruajtjes fizike e kanë mbyllur personin në fjalë brenda derës së filalit të FIBank, duke e zënë kështu në kurth.
Momenti arrestimit, video e siguruar nga VoxNews:
58-vjeçari ka tentuar të bëjë manovrën e tij, duke qëlluar një herë me armë në dysheme, por xhamat e bankës kanë qenë të blinduar, siç ndodh gjithmonë në institucione të tilla financiare.
Më pas ka qenë policia që ka bërë të mundur arrestimin e tij. Fatmirësisht nga ngjarja nuk ka pasur asnjë të lënduar. Policia ndodhet aktualisht në vendin e ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 11:15, në Rrugën e Kavajës, shtetasi B. F., rreth 58 vjeç, dyshohet se ka hyrë në ambientet e një banke, me qëllim vjedhjen e saj, duke qëlluar me armë zjarri, në dysheme. Nga të shtënat nuk ka shtetas të dëmtuar.
Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë pas marrjes së njoftimit dhe kanë bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar në tentativë për tu larguar nga vendi i ngjarjes.
Autori i dyshuar është shoqëruar në Komisariat. Gjithashtu, është sekuestruar arma e zjarrit.
Në përfundim të veprimeve hetimore do të jepet informacion më i plotë për rastin.