"Po na grabisin tokën!", banorët e Rrjollit dhe Durrësit bashkohen para Parlamentit, protestojnë kundër Gener 2 dhe Emirjana Sakos

12 Shkurt 2026, 09:45Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Protesta

Banorët e Rrjollit dhe ato të Durrësit janë grumbulluar së bashku përpara Kuvendit të Shqipërisë, pak përpara nisjes së seancës, duke protestuar për pronat e tyre.

Qytetarët e Velipojës kundërshtojnë ndërtimin e resortit të kompanisë “Gener 2” të biznesmenit dhe botuesit Bashkim Ulaj, pasi sipas tyre ajo zonë është toka e tyre. Ata i janë drejtuar dhe Prokurorisë me dokumentet e pronës në duar, si dhe bashkisë së Shkodrës për të kërkuar llogari për lejen e ndërtimit të lëshuar për Ulajn.

Ndërkohë banorët e Durrësit protestojnë për projektin TID për jetëzimin e bulevardit historik ‘Edidamn’, kur për jetëzimin e këtij plani, parashikohet shpronësimi i 74 familjeve.

Banorët kërkojnë nga shteti dhe bashkia e Durrësit vlerësim të saktë të pronës ose sigurimin e një banese po në Durrës, ndërsa protestojnë kundër bonusit të qirasë që bashkia ka parashikuar paraprakisht për ta.

Qytetarët kërkojnë mbrojtje nga deputetët, që ata të ngrenë zërin për problemet e tyre ndërsa akuzojnë qeverinë për vjedhje.


Video