Vajza që shihni në fotot e mëposhtme është 18-vjeçarja Martina Pajollari nga fshati Marjan i Korçës. Ajo dyshohet se u bë shkaktare e krimit të tmerrshëm të vrasjes së Martin Çeços nga fshati Kolanec i Maliqit, i cili u mbyt me litar dhe më pas u hodh në rezervuar.
Martina Pajollari ishte në një lidhje intime me një prej autorëve, Valter Mollajn, bashkëfshatar i Martinës, por ndërkohë i jepte shpresë për dashuri dhe 26-vjeçarit Martin Çeço, duke i shkruar në “Messenger”.
Ajo nuk i kishte treguar Martinit për lidhjen e saj me Valter Mollajn dhe 26-vjeçarit i shkruante nga adresa të tjera dhe i kërkonte që të mos e merrte në telefon. Këto detaje vunë në dyshime Martin Çeçon deri në momentin kur Valter Mollaj i flet në telefon dhe e kërcënon me jetë.
Gjithashtu, Martina Pajollari e kishte gënjyer Martin Çeçon duke i thënë se është nga fshati Goskovë, por në fakt ajo është nga fshati Marjan, nga i njëjti fshat me Valter Mollajn.
Fillimisht u raportua se Martina Pajollari është minorene, por nga verifkimet e bëra nga burime për VoxNews na rezulton se ajo ka mbushur 18 vjeç më 10 Maj të këtij vitit.
Valter Mollaj, në vend që të rivlerësonte raportin me vajzën, ka kërcënuar Martin Çeçon dhe më pas ka organizuar krimin.
Ai së bashku me kushëririn e tij Edlir Mollaj dhe bariun Bleti Angjo, kanë marrë me makinë tek banesa e tij 26-vjeçarin Martin Çeço, duke e dhunuar, mbytur me litar dhe hedhur në rezervuarin e Kolanecit.
Dy kushërinjtë Valter dhe Edlir Mollaj e kanë mohuar krimin, por Bleti Angjo cili ka qenë i punësuar si çoban tek Valter Mollaj, ka treguar gjithçka.