Trafiku i kokainës dhe roli i shqiptarëve në transportin e lëndës së parë në Europë u diskutua sonte në emisionin “Open”.
Gazetari Poli Hoxha zbuloi detaje sesi grupet kriminale nga vendi ynë po kontrollojnë trafikun nga Amerika Latine, drejt vendeve të pasura të Lindjes si Dubai.
Ndërkohë, gazetari i kronikës Juli Kasapi sqaroi se shqiptarët po vriten në Amerikën Latin pasi duan ta drejtojnë trafikun e kokainës të vetëm.
Eni Vasili: Personazhet e dy ngjarjeve të fundit që janë ngjarje me tonelata kokaine. A jemi të sigurt që janë emisarë se Poli Hoxha thotë se janë organizata të mire strukturuara?!
Jul Kasapi: Më vjen keq sesi persona që janë në burg në Shqipëri mitizohen në Shqipëri sepse ata janë në burg. Në Ekuador është shumë e brishtë drejtësia dhe mund ta blesh lirinë.
Eni Vasili: Po thoni ju që ata nuk janë kapo?
Jul Kasapi: po sigurisht që nuk janë të tillë. Kreu i një grupi kriminal nuk qëndron në burg sidomos në Ekuador.
Poli Hoxha: Kupola e organizatave janë në Europë, kryesisht Spanjë, Holandë. Por këta që të mbyllin ciklin duke u rritur, se ekspansioni ka qenë shumë i shpejtë se kanë qenë shpërndarës, shoferë transportues por guximi i nxori para dhe thanë pse mos ta bëjmë vetë. Dhe këta çuan njerëz atje. A ju kujtohet operacioni “Kokaina” i Eugenit që kishin lënë peng atje.
Glidona Daci: Lënë pengun në rast se ti nuk paguan paratë ose nuk çon mallin në destinacion.
Poli Hoxha: Këta lënë njerëz aty, emisarë. E marrin me dy mijë dollarë dhe sa vjen në Europë me 100 mijë. Tani ka një rritje të çmimit dhe kërkesës në Europë dhe tani vendet e Lindjes së Mesme, si Dubai që janë zhvilluar shumë kanë një kërkesë të jashtëzakonshme dhe këtë linjë e kanë marrë përsipër shqiptarët. Atje janë zhvendosur shumë emra të rëndësishëm të botës së krimit. Linjën nga Amerika Latine, në Europë dhe më pas në Lindjen e Mesme po e kontrollojnë shqiptarët.
Jul Kasapi: Duke jetuar për një kohë të gjatë krijohen kontakte. Problemi me shqiptarët është se mendojnë që mund të drejtojnë vetëm. Por organizatat i bëjnë ndere njëri tjetrit. Ndaj dëgjojmë shumë shqiptarë të vrarë.
***
Gazetari i kronikës Juli Kasapi, i cili e ka vizituar Ekuadorin u shpreh se dy shqiptarët e arrestuar së fundmi, Franc Malo dhe Gentjan Meta kanë shkuar në shtetin latin për të marrë një ngarkesë shumë të madhe kokaine.
Sipas tij grupet shqiptare tashmë janë vendosur në Guajakil, qytet-portin më të madh të Ekuadorit dhe kryejnë kryesisht rolin e emisarëve në trafikun e drogës por edhe bashkëpunojnë me klanet mafioze meksikane.
Kasapi: Nisur nga fakti që njëri prej tyre tani është 33 vjeç dhe janë dy personazhe që janë të panjohur për autoritetet tona. Deri tani dyshoj se janë dy emisarë dhe nuk janë koka e grupit.
Daci: Kanë shkuar për të marrë ngarkesë. Asnjëherë koka e grupit kriminal nuk paraqitet në vendin e origjinës për të marrë lëndën narkotike. Ata janë ushtarët, të cilët do kujdeseshin që lënda narkotike të merrej dhe të çohej në portin e Roterdamit dhe aty do ndahej për tregun e Australisë apo vendet europiane. Përgjithësisht grupet shqiptare janë me njerëz që kanë lidhje gjaku, lidhje familjare të afërt me njëri-tjetrin. Përgjithësisht grupet shqiptare bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, s’janë mafia tipike, ose familje mafioze. Nisur edhe nga mënyra si funksionojnë grupet kriminale asnjëherë truri i grupit nuk lëviz nga vendi ku qëndron. Pra nuk ekspozohet kurrë.
Kasapi: Këta janë person që më së shumti qëndrojnë në Ekuador. Ekuadori nuk prodhon kokainë, por Peruja dhe Kolumbia, por preferohet ky vend se përdoret dollari amerikan, ndërsa e gjithë shëpërndarja e kokainës bëhet nga Ekuadori. Nuk ka informacion se kjo kokainë e blerë në Peru do të zhvendosej menjëherë në Australi apo ku thatë ju.
Mesatarisht përllogariten ne Ekuador, 300 shqiptarë që janë identifikuar që jetojnë atje. Pjesa më e madhe ne Guajakil. Por dyshohet se ky numër është dyfish më i lartë, rreth 600 shqiptarë janë në Ekuador.
Eni Vasili: Këta merren me trafiqe?
Kasapi: Po nuk dyshoj se shkojnë për turizëm se shihet edhe vendi ku shkojnë, qyteti port më i madh në Ekuador. Aty mund të vritesh edhe për 500 dollarë se ka kriminalitet tepër të lartë. Biznesi është në Guajakil dhe aty niset ngarkesat më të mëdha të drogës për në Europë.