Si Dritan Rexhepaj ka marrë pasaportë me emrin Lulëzim Murataj, teksa ishte në kërkim nga drejtësia?

10 Nëntor 2023, 12:03Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Dritan Rexhepi

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka zbardhur vendimin e Dritan Rexhepajt, i arrestuar sot në Stamboll.

Në vendimin që mban datën 11 maj 2023, kolegji ka marrë në shqyrtim çështjen në lidhje me akuzat që rëndojnë ndaj tij për “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose formularëve”.

Në pjesën e parë të këtij vendimi zbardhet mënyra se si Dritan Rexhepaj ka falsifikuar identitetin dhe ka marrë një pasaportë me emrin Lulëzim Murataj, teksa ishte në kërkim nga drejtësia.

Një pjesë nga vendimi i Gjykatës:

Shtetasi Lulëzim Murataj identitetin e të cilit i pandehuri Dritan Rexhepi ka vjedhur dhe përdorur, rezulton se është banor i Komunës Kotë i lindur në fshatin Velçë dhe është i datëlindjes 23.04.1979, i cili aktualisht rezulton të jetë në burg në shtetin e Anglisë.

Kompania Aleat Safran Group, me shkresën nr. ref JAJ/14-0930, datë 29.09.2014, ka sqaruar se me të dhënat Dritan Rexhepi nuk ka aplikuar për pasaportë biometrike, ndërsa me të dhënat e shtetasit Lulëzim Murataj rezulton se, ka aplikuar për t’u pajisur me pasaportë biometrike dhe kartë identiteti në datën 31.10.2011 në Levan, Fier, me nr. ID H90423059U dhe është pajisur me kartë identiteti nr. 031455935 dhe pasaportë biometrike nr. BB3563478. 4.

Në datën 23.01.2015 është bërë sekuestrimi i praktikave të aplikimit nr. 11031131526151985, për kartë identiteti dhe pasaportë biometrike datë aplikimi 31.10.2011, qendër aplikimi Levan, kodi 162 për shtetasin Lulëzim Murataj, me nr. NID H90423059H i datëlindjes 23.04.1979, lindur në Kotë Vlorë. Ky aplikim është bërë nga operatori me kod EA000381.

Është sekuestruar gjithashtu edhe formulari i të dhënave personale marrë nga sistemi qëndror me nr. Identifikimi në sistem ID582065, për shtetasin Lulëzim Murataj. Kompania Aleat Safran Group me shkresën nr. ref JAJ 15-0218, datë 13.03.2015 ka sqaruar se operatori që ka plotësuar këtë formular është punonjësi i qendrës së aplikimeve në Levan të Rrethit Fier, shtetasi Anton Përlala.

Nga akt-ekspertimi nr. 48, datë 19.03.2015, rezulton se, gjurmët papilare në praktikën e aplikimit nr. Representation ID 9598396, për t’u pajisur me kartë identiteti dhe pasaportë biometrike në emër të shtetasit Lulëzim Murataj, janë të njëjta me gjurmët papilare të kartelës daktiloskopike në emër të të pandehurit Gramoz (Dritan) Rexhepaj i datëlindjes 10.04.1980, që ndodhet e administruar në kartotekën e Sektorit të Policisë Shkencore në D.P.Q Vlorë./A2

Video