Pas arrestimit të ‘mbretit’ të kokainës Dritan Rexhepi në Stamboll të Turqisë, është sjellë në vëmendje çështja e rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës për të cilën akuzohet.
Nga hetimet e SPAK rezulton se Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedentë penal në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës, Jan Prenga, me banim në Kamëz, Shqipëri.
Si ndodhi rrëmbimi i Jan prengës:
Jan Prenga, baba i tre fëmijëve u rrëmbye në 17 janar 2020 në Kamëz, disa ditë pasi ishte ndjekur dhe vëzhguar këmba këmbës.
Ai u përlesh me rrëmbyesit, por ata mundën ta fusnin në një makinë Range Rover me ngjyrë të bardhë dhe më pas e transportuan në kompleksin “Golden”, në pronësi të Altin Hajrit, personazh i skeduar për trafik të lëndëve narkotike.
Festim Bexhdili ishte kopshtar i resortit “Golden” në Shijakut, nga garazhi i të cilit u transportua trupi i Jan Prengës.
SPAK administroi orë të tëra pamje filmike nga kamerat e resortit, të cilat konfirmuan lëvizjet e personave të përfshirë në ngjarje.
Sipas hetimeve, Astrit Prenga, vëllai i Jan Prengës ka vjedhur një sasi kokaine në Portin Portsmouth, Angli, që ju përkiste Rexhepit e Funiqit, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli.
Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike.