
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, së bashku me zëvendëskryeministren Albana Koçiu, kanë inspektuar ecurinë e punimeve në kantierin e kompanisë “Guna Tactical”, ku po zhvillohet një investim në sektorin e industrisë së mbrojtjes.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, projekti synon krijimin e një kapaciteti modern prodhues për projektimin dhe prodhimin e veshjeve dhe aksesorëve për Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, Policinë e Burgjeve, struktura të tjera të sigurisë, si dhe për partnerë nga vendet anëtare të NATO-s.
Gjatë vizitës, ministri Nufi e cilësoi investimin si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e industrisë shqiptare të mbrojtjes dhe për forcimin e kapaciteteve kombëtare të sigurisë.
“Industria e mbrojtjes është një shtyllë e re e zhvillimit ekonomik dhe sigurisë kombëtare”, deklaroi Nufi, duke theksuar se projekti pritet të sjellë teknologji moderne, ekspertizë të specializuar dhe standarde bashkëkohore prodhimi.
Sipas tij, fabrika e re pritet të krijojë rreth 1 mijë e 200 vende pune dhe të ndihmojë në integrimin e industrisë shqiptare në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit të sektorit të mbrojtjes.
Ministri nënvizoi se zhvillimi i kësaj industrie është një prioritet strategjik i Qeverisë, me synimin që Shqipëria të rrisë konkurrueshmërinë, kapacitetet teknologjike dhe bashkëpunimin me aleatët euroatlantikë.
“Investime të tilla kontribuojnë në ndërtimin e një industrie shqiptare të mbrojtjes më të fortë, më konkurruese dhe më të integruar me partnerët strategjikë dhe NATO-n”, u shpreh ministri Nufi.