Shqipëria nuk e ka fituar besimin e BE për sigurinë ushqimore

4 Nëntor 2025, 18:21Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustrim

Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ende nuk e ka fituar plotësisht besimin e Bashkimit Europian në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe politikës fito-sanitare.

Në progres-raportin për vendin tonë, KE thekson se kemi “një nivel të caktuar përgatitjeje” në këto fusha, por gjatë periudhës së raportimit është bërë progres i kufizuar.

Sipas dokumentit, janë miratuar ligjet për shëndetin e kafshëve dhe bimëve, por mbetet shumë për t’u bërë në drejtim të përputhjes së legjislacionit kombëtar me standardet e BE-së dhe zbatimit praktik të tyre.

Komisioni rikujton se rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht, ndërsa nënvizon nevojën që Shqipëria të përforcojë strukturat inspektuese.

“Gjatë periudhës së raportimit është bërë progres i kufizuar. Janë miratuar ligjet për Shëndetin e Kafshëve dhe Shëndetin e Bimëve. Megjithatë, janë të nevojshme përpjekje të mëtejshme për përputhjen e legjislacionit të këtij kapitulli me acquis-in e BE-së dhe për zbatimin e tij. Shqipëria duhet të zbatojë politikën kombëtare të miratuar për sigurinë ushqimore”, konstatohet në progresraport.

Ky vlerësim tregon se, pavarësisht reformave ligjore, BE vijon të ketë rezerva ndaj aftësisë së Shqipërisë për të garantuar produkte ushqimore të sigurta dhe të kontrolluara sipas standardeve europiane.


Video