“Na ke lekët borxh”/ Kanosën dhe shantazhuan një 29-vjeçar, 6 persona nën hetim, një në pranga!

4 Nëntor 2025, 14:36Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Një 29-vjeçar dhe familja e tij janë kanosur nga 6 persona, pasi këta të fundit pretendonin se i riu iu kishte një shumë parash borxh të pashlyer.

Policia bën me dije se ka arrestuar 26-vjeçarin Ersi Cekani dhe ka nisur procedimin për 4 të tjerë.

Po ashtu në kërkim është shpallur edhe një 28-vjeçar, vëllai i të arrestuarit dhe njërit nga të proceduarit penalisht.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “Pretendimi”.   

Kanosën dhe shantazhuan një 29-vjeçar dhe familjarët e tij, për dhënien e një shume parash që pretendonin se këta shtetas ia kishin borxh, identifikohen 6 autorët e dyshuar (3 prej tyre vëllezër).     

Vihet në pranga 1 prej tyre, procedohen penalisht 4, punohet për kapjen e tjetrit. 

Sekuestrohet 1 automjet.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, pas njoftimit të marrë se një 29-vjeçar dhe familjarët e tij po kanoseshin për dhënien e një shumë parash, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e tyre. 

Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në kuadër të operacionit policor të koduar “Pretendimi”, u identifikuan 5 autorët e dyshuar, nga të cilët:

-u arrestua në flagrancë shtetasi E. C., 26 vjeç;

-nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. C., 35 vjeç, R. B., 35 vjeç, S. B., 19 vjeç, banues në Librazhd dhe L. F., 32 vjeç, banues në Peshkopi;

-u shpall në kërkim shtetasi A. C., 28 vjeç, vëllai i 26-vjeçarit të arrestuar dhe i 35-vjeçarit të proceduar. 

Nga hetimet dyshohet se këta 6 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur dhe shantazhuar nëpërmjet celularit, 29-vjeçarin dhe familjarët e tij, me pretendimin se këta shtetas i kishin borxh një shumë të konsiderueshme parash.     

Punohet për kapjen e shtetasit A. C. dhe për dokumentimin e rrethanave të rastit.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.


Video