
Britania po përpiqet të dëbojë një trafikant droge shqiptar për herë të tretë pasi ai dënua me burg.
Ronaldo Zani është kthyer vazhdimisht fshehurazi në Mbretërinë e Bashkuar, pavarësisht se është deportuar dy herë për shkak se ishte pjesë e një bande kriminale shqiptare.
26-vjeçari u deportua për herë të parë në vitin 2019 pasi u gjet duke shitur kokainë, por u kthye muaj më vonë dhe u tha klientëve të tij: "Jam kthyer në punë", sipas The Telegraph.
Ai u kap më vonë në posedim të 4,250 paundëve, 24 gramëve kokainë, tre telefonave, si dhe peshoreve, listave të shpërndarjes dhe një kartë identiteti greke të rreme.
Zani pranoi se po shiste drogë për të shlyer një borxh prej 15,000 paundësh ndaj bandës që e ndihmoi të kthehej në Mbretërinë e Bashkuar.
Ai u deportua për herë të dytë në maj 2021 pasi u dënua me tre vjet burg. Por më 13 shkurt të këtij viti, një oficer policie e njohu atë duke drejtuar një Mercedes në Bournemouth.
Ai u ndalua dhe një kontroll zbuloi 1,935 paund në para "cash" dhe 24.75g kokainë, e cila do të kishte një vlerë tregu deri në 2,500 paund.
Zani u tha autoriteteve se hyri në Mbretërinë e Bashkuar "disa muaj më parë" duke u fshehur në pjesën e pasme të një kamioni. Ai tha se fillimisht ishte punësuar si punëtor krahu, por nuk fitonte mjaftueshëm për të shlyer paratë e kontrabandistëve të tij dhe kështu filloi të punonte si korrier droge.
Megjithatë, gjykatësi tha se ai "nuk kishte asnjë simpati të vërtetë" për Zanin pasi e dinte se në çfarë po futej duke u kthyer ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Duke e burgosur Zanin për katër vjet në Gjykatën e Kurorës së Bournemouth, gjykatësi Richard Fuller KC tha se priste që ai të deportohej përsëri.
“Ju keni hyrë në vend ilegalisht duke e ditur se ose i ishit në borxh atyre që po ju vendosnin në një kamion ose do të ishit në borxh ndaj një grupi të krimit të organizuar. Vendi është plot me grupe kriminale shqiptare dhe me dënimet tuaja të mëparshme do të kishit qenë plotësisht të vetëdijshëm për atë që po bënit. Nuk mund të ketë asnjë simpati të vërtetë për ju që morët drejtimin për të punuar për trafikantët e drogës", tha ai.