Shpërndanin kokainë në Itali, 2 nga 15 të arrestuarit u kapën në Lezhë (EMRAT)

13 July 2023, 18:54Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shpërndanin kokainë në Itali, 2 nga 15 të arrestuarit u
Grupi i shqiptarëve shpërndante kokainë në Brescia të Italisë

Një operacion me 15 të arrestuar u zhvillua ditën e sotme nga autoritetet italiane në qytetin e Brescia-s.

Dy prej të arrestuarve të këtij operacioni janë ndaluar gjatë aksionit në qytetin e Lezhës. Ata janë Tonin Kameri, i njohur edhe si Aleks Ionescu, 44 vjeç dhe Pavlin Bregaj alias Pavlin Tuku, 32 vjeç.

Ndaj këtyre dy shtetasve, Gjykata e Brescia-s, Itali, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Organizata kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Sipas autoriteteve italiane hetimet ndaj këtij grupi kishin nisur që prej vitit 2019, me metoda speciale, përgjime telefonash dhe GPS. Besohet se ky grup ka arritur të shpërndajë një sasi prej 6.5 kilogram kokainë gjatë kohëve të fundit.


Gjatë aksionit u ndaluan 15 persona, shqiptarë dhe italianë, për 4 nga të cilët është dhënë masa arrest me burg, 7 në arrest shtëpie dhe 4 me ndalim largimi nga vendi.

Policia shqiptare thotë se në kuadër të këtij operacioni, është ndaluar edhe shtetasi D. M., alias D. K., 48 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se me vullnetin e tij të lirë, ka lejuar kushëririn e tij, shtetasin T. K., alias A. I., që t’i përdorë identitetin për t’iu shmangur Policisë italiane.

“Nga veprimet hetimore të kryera në Itali, dyshohet se shtetasit T. K., alias A. I. dhe P. B., alias P. T., së bashku me 7 shtetas të tjerë të arrestuar tashmë nga policia e Italisë, janë pjesëtarë të një organizate kriminale për trafikimin e kokainës, organizatë me veprimtari në Itali. Gjatë zhvillimit të këtij operacioni, Policia e Italisë ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale, rreth 7 kg lëndë narkotike kokainë”, njofton policia e Lezhës.


Video