Janë zbardhur detaje të reja lidhur me 41-vjeçarin, Andrea Derivshi, i cili prej disa orësh ka mbetur në shpellën e Tërvolit në Gramsh. Mësohet se 41-vjeçari kishte shkuar për të kërkuar flori, por mbeti brenda në shpellë.
41-vjeçari nga Belshi ka hyrë në shpellën e Tërvolit me litar.
Kur ka rënë nata Dervishi ka tentuar të ngjitet për të dalë, por nuk ka mundur. Në këto kushte, ai është detyruar që të marrë në telefon policinë.
Por momentalisht nxjerrja e tij nga shpella është e pamundur. Pritet që në orët e para të mëngjesit të ditës së nesërme të nisë operacioni për shpëtimin e tij.
Aktualisht burime nga grupi i kërkim shpëtimit thanë se 41-vjeçari do të mbahet në monitorim dhe momentalisht gjendja shëndetësore është e mirë, ndonëse temperaturat në këtë zonë pritet të shkojnë nën zero gradë.
Ndërkohë policia po punon për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të hedhur dritë, mbi atë çka 41-vjeçari kishte si synim, kërkimin e floririt në shpellën e Tërvolit.