Shefi i Komisariatit të Sarandës, dy nënkomisarë dhe një specialist në pranga nga AMP, zbardhen detaje nga aksioni

15 Maj 2026, 22:56Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari

Shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari, dy nënkomisarë dhe një specialist të policisë janë prangosur ditën e sotme, në kuadër të hetimeve për përfshirjen e efektivëve në abuzimet me ndërtimet pa leje në zonat më të lakmuara bregdetare të jugut, Sarandë dhe Ksamil.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetime me në fokus verifikimin e rolit dhe përgjegjësisë së efektivëve të policisë në lejimin apo mosparandalimin e këtyre ndërtimeve të paligjshme.

Lëvizja e AMP vjen pas dy rasteve të evidentuara gjatë ditëve të fundit në zonë.

Në njërin rast, Prokuroria sekuestroi katin e një hoteli të ndërtuar pa leje, ndërsa në rastin tjetër, në një plazh të Ksamilit, u arrestuan 8 punëtorë që po kryenin punime të paligjshme.

Hetimet do të përqendrohen edhe tek veprimet ose mosveprimet e strukturave policore përgjegjëse për kontrollin e territorit, për të verifikuar nëse ka pasur tolerim apo përfshirje në këto raste.

Të arrestuarit në Sarandë:

Gëzim Bashllari, me detyrë Shef Komisariati;

Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve

Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist për rendin

Inspektor Robert Çullaj, specialist zone;

ndaj të cilëve rendojnë dyshime për konsumimin e veprave penale: "Shpërdorim detyre", parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal; Kryerja e veprimeve arbitrare", parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal; Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme",parashikuar nga neni 251 i Kodit Penal; të kryera në bashkëpunim.

 


Video