Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka goditur një grup të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik heroine.
Hetimet lidhen me aktivitet të dyshuar kriminal të zhvilluar në Shqipëri dhe në Danimarkë gjatë viteve 2023–2024. Sipas njoftimit zyrtar, grupi kriminal dyshohet se ka qenë i përfshirë në prodhimin, trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Hetimi është realizuar në bashkëpunim me autoritetet daneze dhe Byronë Kombëtare të Hetimit në Shqipëri. Autoritetet kanë identifikuar disa persona të dyshuar si pjesë e këtij rrjeti kriminal ndërkombëtar.
Gjykata e Posaçme ka vendosur masa sigurie për dy shtetas shqiptarë të përfshirë në këtë çështje. Njëri prej tyre është vendosur në “arrest në burg”, ndërsa tjetri me masa kufizuese.
SPAK bëri me dije se dje ra në pranga Marsel Licaj, ndërsa ndaj Ermal Licaj u ekzekutuan masa detyrim për paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë shtetit.
Aktiviteti kriminal dyshohet se është zhvilluar në disa episode dhe ka përfshirë trafikun ndërkufitar të heroinës. Lënda narkotike dyshohet se është përpunuar dhe përzier për t’u shitur në tregun danez. Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë caktimin e masave të sigurimit ndaj dy shtetasve M. L., (alias G.,) dhe E. L, në kuadër të procedimit nr.55 të vitit 2024, për veprat penale:
“Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/1 dhe 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”;
“Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.
Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata me vendimin e saj nr. 28, datë 14.5.2026 vendosi caktimin e masës të sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin M. L., (alias G.), si dhe masat e sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” të parashikuara nga nenet 234 dhe 233 të Kodit të Procedurës Penale, për shtetasin E. L.
Hetimet lidhur me këtë procedim penal u realizuan në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e drejtësisë daneze dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Autoritetet daneze, në muajin gusht të vitit 2023 kanë regjistruar procedimin penal nr. 0100-71282-00102-23 – “Operacioni Bacchus”. Në hetim ishte një grup shtetasish shqiptarë dhe të huaj, të cilët në kuadër të grupit të strukturuar kriminal kanë zhvilluar aktivitetin kriminal të trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit heroinë në Mbretërinë e Danimarkës.
Kjo veprimtari është shtrirë nga 1 tetor 2023 deri më 23 janar 2024, në 7 episode, gjatë të cilëve, anëtarët e grupit kriminal kanë importuar në Mbretërinë e Danimarkës heroinë përmes shtetit kufitar të Suedisë. Lënda narkotike e trafikuar, përgatitej për shitje në tregun danez, e përzierë me lëndë të tjera si paracetamol dhe kafeinë, me qëllim maksimizimin e fitimeve.
Nga hetimet paralele të kryera nga prokuroritë e dy vendeve, deri në këto momente është bërë e mundur identifikimi, procedimi në Danimarkë i 3 personave (dy shtetas shqiptarë dhe një i huaj), ndërsa në Shqipëri është mundësuar identifikimi i 2 (dy) shtetasve të tjerë shqiptarë, të cilët ishin të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.
Më 14.5.2026, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bërë të mundur ekzekutimin e masave të sigurimit personal për të dy shtetasit në hetim.
Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për administrimin e provave lidhur me implikimin e personave të tjerë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në këto veprimtari të paligjshme kriminale.
Prokuroria e Posaçme falenderon autoritetet e drejtësisë daneze si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për mbështetjen e treguar.