"Rruajuni!", Met Rrumbullaku iu ndalon policëve të mbajnë mjekër dhe pantallona të shkurtëra

9 Shtator 2022, 19:36Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Muhamet Rrumbullaku

Muhamet Rrumbullaku zëvendësoi Gledis Nanon në krye të Policisë së Shtetit dhe ditën e djeshme ka zhvilluar disa takime prezantuese me grupe të ndryshëm efektivësh ku iu ka dhënë porositë vartësve të tij.

Ai iu ka kërkuar analiza mbi objektivat, teksa fokus të veçantë i ka vënë dhe disiplinës në punë dhe sjelljes në komunitet.

“Dua drejtorë që të mos komandojnë nga zyra, por të jenë në terren, për të kontrolluar, drejtuar dhe menaxhuar veprimtarinë e strukturave policore. Kërkoj analiza të qarta për realizimin e objektivave që keni marrë që në fillim të vitit, analiza për problematikat dhe propozime për zgjidhjen e tyre. Disiplina në punë dhe performanca në komunitet janë faktorë të rëndësishëm për një organizatë që prodhon rend dhe siguri. Mos toleroni dhe mos ndikoni te strukturat, për të ndihmuar askënd që është në shkelje të ligjit”, mësohet se iu ka thënë Rrumbullaku.

Ndër të tjera ai ka folur edhe për çështje etike që lidhen me kodin e sjelljes së efektivëve të Policisë së Shtetit. Mësohet se ai ka kërkuar që të mos ketë asnjë punonjës policie me mjekër dhe iu ka kërkuar gjithashtu dhe që të mos veshin pantallona të shkurtëra jashtë orarit të punës.

Video