Policia Rrugore ka njoftuar bilancin e 24 orëve të fundit sa i përket kontrolleve në akset rrugore Tiranë - Durrës - Fier - Vlorë me makina inteligjente dhe radarë automatikë.
Përmes një njoftimi për mediat bëhet me dije se në 24 orët e fundit, janë pezulluar 52 leje drejtimi, nga të cilat: 10 për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit, 42 për shpejtësi deri në 40 deri në 60 km/h mbi normën e lejuar.
Gjithashtu, në të gjithë vendin, gjatë kontrolleve janë evidentuar dhe ndëshkuar 1950 drejtues mjetesh, për shkelje të ndryshme që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
Janë arrestuar 8 drejtues mjetesh, nga të cilët 5 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 3 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia e Shtetit bën me dije se ka marrë një sërë masash shtesë për fundjavën për shkak të fluksit të lartë të lëvizjeve dhe nga shkeljet e konstatuara nga mjetet inteligjente.
Në të gjitha akset rrugore nacionale, urbane dhe rurale, shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet dhe monitorimet intensive duke përdorur makinat inteligjente, radarët automatikë, dronët, kamera, aparate fotografike, alkooltestues, dhe mjete të pauniformuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.