
Gjykata e Posaçme (GJKKO" ka vendosur sot dënimin me burgim të përjetshëm për Festim Bexhdilin, i akuzuar për rrëmbimin me pasojë vdekjen e Jan Prengës, janarin e vitit 2020.
Ndërsa, sot është dënuar me 3 vite burg edhe Olsi Turja, i shpallur fajtor për akuzën “pengim të zbulimit të të vërtetës”, pasi akuzohet se ka fshirë gjurmët e gjakut.
Festim Bexhdili punonte si kopshtar në kompleksin “Golden” dhe ka treguar më herët para gjykatës se në datën 17 janar është telefonuar nga Altin Hajri, për të marrë një trup të pajetë me një furgon të bardhë.
Bixhdili ka treguar se është larguar me një furgon të bardhë dhe disa kilometra nga resorti, trupin e pajetë ia dorëzoi Altin Hajrit dhe një pjesëtari të familjes Doçi nga Shkodra. Më pas, ai ka treguar se u rikthye në resort dhe dorëzoi furgonin.
Sipas SPAK, rrëmbimi i Prengës erdhi për shkak të vjedhjes së një sasie kokainë të mbërritur nga Ekuadori në portin britanik Portsmouth. Hetuesit besojnë gjithashtu se Festim Bexhdili di vendin ku mund të jetë groposur Jan Prenga.
Bixhdili rezulton të jetë njeriu kyç i cili ka informacion për vendin ku është varrosur trupi i Jan Prengës, por ai refuzoi ta tregojë dhe nuk ka shfaqur asnjë pendesë gjatë gjykimit.
Kujtojmë se Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz më 17 Janar 2020, dhe prej më shumë se dy vite trupi i tij nuk është gjetur.
Kompleksi 'Golden' në Shijak u kthye ne skenën e krimit për Jan Prengën, ndërsa policia me anë të pamjeve filmike provoi praninë e trupit të tij dhe vendosi pas hekurave Leonard Hajri, Bajram Hajri, Festim Bexhdili, Olsi Turja si dhe Ardian Doçaj, ku sot në burg ka mbetur vetëm Festim Bexhdili dhe Olsi Turja.